BALLKANI

Shqipëri, Kolegji Zgjedhor Gjyqësor rrëzon ankimimin për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve

Në seancën e sotme, trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor ka vendosur të rrëzojë ankimimin e paraqitur nga koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM).

Fatjon Cuka  | 04.09.2025 - Përdıtësım : 04.09.2025
Shqipëri, Kolegji Zgjedhor Gjyqësor rrëzon ankimimin për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Kolegji Zgjedhor Gjyqësor i Shqipërisë ka rrëzuar padinë për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 11 maj, raporton Anadolu.

Në seancën e sotme, trupi gjykues i kolegjit ka vendosur të rrëzojë ankimimin e paraqitur nga koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM).

“Kolegji Zgjedhor Gjyqësor në lidhje me padinë e paraqitur dhe që u shqyrtua sot në këtë seancë, duke marrë një vendim më shumicë votash, bazuar në Kodin Zgjedhor vendosi rrëzimin e padisë”, tha gjyqtarja Lutfije Celami.

Sipas kolegjit, vendimi i sotëm është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk bëhet ankim.

Koalicioni opozitar depozitoi më 1 shtator në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor ankim kundër rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve me pretendimin se procesi zgjedhor "është shoqëruar me shkelje të rënda ligjore dhe parregullsi".

- Zgjedhjet e 11 majit

Më 11 maj 2025 në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare për zgjedhjen e përbërjes së re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 deputetë.

Partia Socialiste, partia në pushtet e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama fitoi zgjedhjet, duket siguruar mandatin e katërt qeverisës.

Më 28 gusht, Komisioni Rregullator pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë (KQZ) shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare.

Sipas rezultateve, Partia Socialiste ka fituar 83 mandate. Koalicioni i drejtuar nga partia më e madhe opozitës, Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, renditet i dyti me 50 mandate.

Partia Socialdemokrate, ka fituar tre mandate, Partia Mundësia dy mandate, Koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet" dhe Partia Lëvizja Bashkë nga një mandat.

Në ditët në vazhdim pritet të caktohet data për seancën e parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë dhe shpallja e emrave të kabinetit të ri qeveritar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın