Shqipëri, katër vatra zjarri ende aktive
- Sipas njoftimit nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, aktive mbeten ende katër vatra zjarri në disa bashki, ndërkohë si pasojë e zjarreve të rëna kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre e barishte janë djegur rreth 5 hektarë me bimësi.

Tiranë
TIRANË (AA) - Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë evidentuar 25 vatra zjarri, ndërkohë sipas autoriteteve katër vatra janë ende aktive, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë Tiranë, Vlorë, Selenicë, Elbasan, Prrenjas, Poliçan, Bulqizë, Dibër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Finiq, Kamzë, Vorë, Durrës, Kurbin, Pogradec dhe Korçë.
Sipas ministrisë, aktive mbeten ende katër vatra zjarri në disa bashki të vendit, ndërkohë si pasojë e zjarreve të rëna kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre e barishte janë djegur rreth 5 hektarë me bimësi.
Theksohet se në dy raste zjarret janë evidentuar në banesa dhe një në një godinë biznesi, ku si pasojë ka patur dëme të konsiderueshme materiale. Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar Forcat e Armatosura të Shqipërisë, automjete zjarrfikëse, forca bashkiake, vullnetarë dhe forca të tjera operacionale.
Në javët e fundit Shqipëria është përfshirë nga temperatura të larta, ku si pasojë kanë vazhduar zjarret në disa zona të vendit, ndërkohë në orët në vazhdim pritet ulje e temperaturave.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë, sa i përket rrezikut për zjarret në pyje, sot dhe nesër pritet nivel rreziku "i ulët" në qarkun Shkodër, nivel rreziku "i moderuar" në qarkun Kukës dhe nivel rreziku "i lartë" në qarqet e tjerë.