BALLKANI

Shqipëri, hapet Java e Filmit Turk

Java e Filmit Turk që mbahet në datat 22-26 nëntor organizohet nga Instituti "Yunus Emre" në Tiranë, ndërsa u hap në Kinema Millennium në Tiranë me shfaqjen e filmit 7. Koğuştaki Mucize (Mrekullia në Qelinë Numër 7)

Fatjon Cuka  | 22.11.2021 - Përdıtësım : 23.11.2021
Shqipëri, hapet Java e Filmit Turk Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Në Shqipëri është hapur Java e Filmit Turk ku për disa ditë me radhë do të shfaqen për artdashësit shqiptarë disa filma të kinematografisë turke, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e hapjes ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, drejtori i Institutit "Yunus Emre" në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, koordinatorja e TIKA-s në Tiranë, Emine Gizem Başkan, aktori shqiptar Julian Deda, studentë, nxënës dhe artdashës.

Ambasadori Yörük gjatë fjalës përshëndetëse tha se së pari filmi dhe më pas serialet kohët e fundit kanë qenë një sektor i cili duket se po zhvillohet gjithnjë e më tepër dhe sipas tij pavarësisht rrethanave të pandemisë COVID-19 aktivitetet lidhur me serialet duket që në një normë të caktuar kanë arritur që të realizohen.

Ai tha se vitet e fundit sektori i filmit turk dhe kinemaja turke ka patur një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe shtoi se sot vlerësohet në nivelet më të larta.

"Sa mirë që kemi ardhur në një pikë që kur përmendet kinemaja turke, serialet turke, aktorët turq, kemi një nivel të lartë që na japin një kënaqësi gjithnjë e më tepër, tashmë në nivel botëror. Kinemaja turke tashmë ka ndjekës në të gjithë botën, nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim, nga Venezuela në Tajvan, nga Afrika e Jugut në Zvicër, dhe ka arritur të krijojë fansat në gjithë botën", u shpreh Yörük.

Yörük theksoi se Ballkani, por veçanërisht Shqipëria, ka një interes shumë të madh dhe i ndjek me shumë dëshirë të gjithë prodhimet që vijnë nga Turqia.

Ambasadori turk po ashtu theksoi se është e ditur që dëshirojnë që marrëdhëniet mes dy vendeve të jenë në të gjitha fushat perfekte, si dhe shtoi se në përgjithësi arti turk është duke krijuar disa dritare komunikimi dhe ura të bashkëpunimit.

Aktori Julian Deda gjatë fjalës së tij tha se uron që ky aktivitet të jetë një ogur i mirë që të zhvillohen urat e bashkëpunimit në këtë fushë. Ai shtoi se kinematografia shqiptare ka shumë nevojë për mbështetje dhe sipas tij ka nevojë për profesionistë.

"Serialet turke dhe filmat turq sot këtu në Shqipëri, si i themi në gjuhën tonë zhargon po bëjnë namin, po ndiqen shumë, po pëlqehen shumë dhe janë bërë pjesë e familjes. Ky është një investim që i ka kaluar kufijtë e vendit (Turqisë) dhe ka ardhur edhe në Shqipëri", u shpreh Deda.

Një fjalë përshëndeste mbajti edhe drejtori i Institutit "Yunus Emre" në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, i cili theksoi se kanë treguar kujdes në përzgjedhjen e filmave, sipas tij, duke besuar se secili prej tyre është i veçantë.

Java e Filmit Turk që mbahet në datat 22-26 nëntor organizohet nga Instituti "Yunus Emre" në Tiranë, ndërsa u hap në Kinema Millennium në Tiranë me shfaqjen e filmit 7. Koğuştaki Mucize (Mrekullia në Qelinë Numër 7).

Gjatë ditëve në vazhdim për artdashësit do të shfaqen edhe filmat Bizim için Şampiyon- (Për ne Kampion), Rafadan Tayfa Dehliz Macerası (Rafadan Tayfa Aventura në Tunel), Af (Falja) dhe Nasipse Adayız (Kandidati për Kryetar).

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın