Politikë, BALLKANI

Shqipëri, fillon procesi i rinumërimit të votave për disa qarqe

Procesi i rinumërimit të votave do të realizohet në kuadër të procesit të ankimimeve në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KAS), pasi ky vendim është marrë nga dy prej anëtarëve të KAS-it

Fatjon Cuka  | 17.06.2025 - Përdıtësım : 17.06.2025
Shqipëri, fillon procesi i rinumërimit të votave për disa qarqe Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Në Shqipëri ka filluar sot procesi i rinumërimit të votave, pas vendimit për rinumërim në disa qarqe, për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 11 maj, raporton Anadolu.

Procesi i rinumërimit të votave do të realizohet në kuadër të procesit të ankimimeve në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KAS), pasi ky vendim është marrë nga dy prej anëtarëve të KAS-it pas pretendimeve për parregullsi.

Rinumërimi do të bëhet për të gjithë Qarkun e Tiranës dhe Qarkun e Fierit, si dhe për dhjetëra kuti votimi për Qarkun e Durrësit, përfshirë edhe kuti për votimin nga jashtë dhe për dy bashki të Qarkut të Elbasanit.

Në Pallatin e Sportit "Farie Hoti" në Tiranë janë ngritur grupet e rinumërimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ), ndërkohë sot ka filluar procesi i hapjes së kutive të materialeve zgjedhore dhe kutive të fletëve të votimit të bashkive Peqin dhe Gramsh të Qarkut të Elbasanit.

Pasi të përfundojë procesi për dy bashkitë e Qarkut të Elbasanit, do të fillojë numërimi për Tiranën.

Nga gjithsej 5.225 qendra votimi në të gjithë vendin, sipas KQZ-së janë 2.323 qendra të votimit në total që do jenë pjesë e procesit të rinumërimit, përfshirë 85 kutitë nga votimi jashtë vendit.

- Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri

Më 11 maj 2025, në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku u votua për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 mandate.

Sipas rezultateve paraprake nga KQZ-ja, Partia Socialiste (PS) në pushtet, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, fitoi me 53,27 për qind, duke siguruar 83 mandate.

Koalicioni i drejtuar nga partia më e madhe opozitës, Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore (ASHM), renditet i dyti me 32,93 për qind ose 50 mandate.

Partia Socialdemokrate, sa i përket numrit paraprak të mandateve, renditet e treta me 3,10 për qind për qind të votave ose 3 mandate.

Gjithashtu, mandate kanë siguruar edhe disa parti të reja, si Partia Mundësia dy mandate, Koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet" një mandat dhe Partia Lëvizja Bashkë një mandat.

Pas përfundimit të procesit të rinumërimit, KQZ-ja do të shpallë zyrtarisht rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın