Shqipëri, 21 persona të arrestuar për tensionet dhe incidentet në protestën antiqeveritare
"Si pasojë e sulmeve me sende të forta, mjete piroteknike dhe molotov ndaj punonjësve të Policisë dhe godinave të institucioneve shtetërore, janë dëmtuar 16 punonjës policie", thuhet në njoftim nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Tiranë
Policia e Shqipërisë ka arrestuar 21 persona për tensionet dhe incidentet gjatë protestës së djeshme të opozitës, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë thuhet se të arrestuarit akuzohen për veprat penale "Goditja për shkak të detyrës", "Plagosja e rëndë me dashje", "Prishja e rendit dhe qetësisë publike", "Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse", "Shkatërrimi i pronës me zjarr" dhe "Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik".
Gjithashtu thuhet se ka nisur procedimi në gjendje të lirë edhe për disa përfaqësues dhe anëtarë të Partisë Demokratike.
"Pasditen e djeshme, protestuesit janë mbledhur fillimisht në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit', para Kryeministrisë. Më pas, ata janë zhvendosur drejt Kuvendit, ku gjatë gjithë kohës së zhvillimit të tubimit, kanë hedhur lëndë djegëse, mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinave të institucioneve publike. Si pasojë e sulmeve me sende të forta, mjete piroteknike dhe molotov ndaj punonjësve të Policisë dhe godinave të institucioneve shtetërore, janë dëmtuar 16 punonjës policie, të cilët morën ndihmë mjekësore në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën", thuhet në njoftim.
Në lidhje me tensionet në protestë ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Albana Koçiu, e cila në rrjetet sociale ka shkruar se "E drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shteti".
Sipas policisë, janë sekuestruar 22 molotovë të pashpërthyer.
- Protesta antiqeveritare
Protesta e organizuar nga Partia Demokratike dhe e mbështetur nga parti të tjera opozitare më 10 shkurt u shoqërua me tensione, ku protestuesit hodhën molotovë, fishekzjarrë dhe tymuese, por edhe sende të ndryshme në drejtim të selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Protestuesit u përplasen edhe me forcat e policisë para selisë së Kuvendit, ndërsa forcat e policisë u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë.
Gjatë protestës raportohet se disa persona u lënduan nga ndikimi i gazit dhe incidente të tjera.
Në muajt e fundit në Shqipëri janë organizuar protesta antiqeveritare, ndërsa partitë opozitare kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
