Shqipëri, mbi mocionet për programin e qeverisë dhe "gjenocidin serb në Kosovë" do të vendoset në seancë plenare
Konferenca e Kryetarëve e Kuvendit të Shqipërisë nuk ka ranë dakord për zhvillimin e mocioneve të kërkuara nga partia opozitare, Partia Demokratike, duke ia kaluar çështjet seancës plenare
Tiranë
Mbi kërkesat e opozitës për mocion me debat për programin e qeverisë së re të Shqipërisë dhe për mocion me debat për "miratimin e një rezolute për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë", do të vendoset në seancën plenare nëse do të zhvillohen, transmeton Anadolu.
Konferenca e Kryetarëve e Kuvendit të Shqipërisë nuk ka rënë dakord për zhvillimin e mocioneve të kërkuara nga partia opozitare, Partia Demokratike, duke ia kaluar çështjet seancës plenare.
Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
"Mbledhja shqyrtoi kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, për zhvillimin e një mocioni me debat mbi prioritetet e shpallura të qeverisë në programin politik të saj, si dhe ndërhyrjen e krimit të organizuar në jetën publike të vendit", thuhet në njoftim.
Gjithashtu theksohet se kryeparlamentari Peleshi, bëri me dije gjatë mbledhjes se është depozituar edhe një kërkesë nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, "për mocion me debat me qëllim final miratimin e një rezolute për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë".
Konfirmohet se pas diskutimeve, kryetarët e grupeve parlamentare nuk ranë dakord për zhvillimin e mocioneve dhe të dyja çështjet i kaluan seancës plenare. Konferenca e Kryetarëve diskuton dhe vendos për programin e punës, kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe të komisioneve të tij.
Më 18 shtator Kuvendi i Shqipërisë miratoi programin e qeverisë së re të drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe përbërjen e saj, seancë e cila vazhdon të kundërshtohet nga deputetët e opozitës.
Deputetët e opozitës kanë kërkuar që të përsëritet seanca dhe të zhvillohet një seancë me debat për programin e qeverisë së re. PD kërkon edhe mocion me debat për shkarkimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi, pasi sipas tyre ka shkelur rregulloren e Kuvendit me seancën për miratimin e programit të qeverisë së re dhe ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit.
