Shqipëri, konstituohet Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik është krijuar pas ndryshimeve të fundit në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë
Tiranë
Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik në Kuvendin e Shqipërisë ka mbajtur mbledhjen e parë të konstituimit, raporton Anadolu.
Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, në fjalën e saj u shpreh se ky komision ka një fokus specifik, duke iu referuar disa fushave.
"Komisioni i ri ka një fokus specifik për sa i përket të drejtës së informimit, të drejtave të njeriut. Çështjet që do të mbulohen janë çështje në fushën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në lidhje me veprimtarinë e mediave audiovizive, informimi, çështje për garantimin e lirisë së shprehjes dhe sigurisht raportimet e institucioneve", tha Tabaku.
Tabaku theksoi se duhet ta kthejnë punën e komisionit në një punë transparente, sipas saj në shërbim të qytetarëve.
"Ta kthejmë këtë komision në një derë të hapur. Ta kthejmë punën e këtij komisioni në një mënyrë transparente në shërbim të qytetarëve”, tha ndër të tjera ajo.
Tabaku u shpreh se opozita është pjesë kryesore e procesit të integrimit evropian.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik është krijuar pas ndryshimeve të fundit në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë.
