BALLKANI

Shqipëri, Fondacioni Turk Maarif ceremoni për vitin e ri shkollor

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në fjalën tij përshëndetëse në ceremoni tha se Fondacioni Turk Maarif në Shqipëri ka arritur që gjatë katër viteve të rrisë cilësinë e arsimimit të studentëve

Fatjon Cuka   | 27.10.2021
Shqipëri, Fondacioni Turk Maarif ceremoni për vitin e ri shkollor ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Fondacioni Turk Maarif në Shqipëri ka organizuar një ceremoni me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2021-2022 në institucionet arsimore të fondacionit me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke në Shqipëri, të institucione të Shqipërisë, prindërve dhe nxënësve, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në fjalën tij përshëndetëse në ceremoninë e mbajtur në godinën e re të disa institucioneve të arsimit parauniversitar të fondacionit tha se Fondacioni Turk Maarif në Shqipëri ka arritur që gjatë katër viteve të rrisë cilësinë e arsimimit të studentëve.

Ai theksoi se rritja e numrit të nxënësve është një tregues i suksesit të fondacionit në Shqipëri.

"Shqiptarët dhe turqit kanë ecur dorë për dore prej një periudhe afërisht prej 600 vitesh dhe kjo është një nga faktorët më të rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Dua të theksoj faktin që duke u bazuar në të gjithë historinë tonë dhe marrëdhëniet tona të deritanishme, po mundohemi që të ndërtojmë një të ardhme po kaq të fortë si në të shkuarën", u shpreh ambasadori turk.

Duke iu referuar vizitës së kryeministrit Edi Rama në Turqi në janar të këtij viti, ai tha: "Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të lidershipit vizionar, së bashku me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunimin strategjik midis dy vendeve tona. Kjo do të thotë që të gjithë marrëdhëniet shumë të veçanta midis Turqisë dhe Shqipërisë tashmë janë ngritur në një nivel të ri, në nivelin e partneritetit strategjik".

"Mes dy vendeve tona u firmos edhe një marrëveshje të re në fushën e edukimit. Është arritur dakordim midis dy vendeve, nismë që kishte filluar më herët në Turqi për vendosjen e gjuhës shqipe si lënde me zgjedhje në shkollat shtetërore në Turqi dhe po në të njëjtën kohë vendosja e gjuhës turke si lëndë me zgjedhje në Republikën e Shqipërisë. Interesi për Turqinë dhe mësimin e gjuhës turke nga të rinjtë shqiptarë është në rritje dita ditës", tha Yörük.

- "Fondacioni Maarif ka si qëllim kryesor ofrimin e mundësive për një arsimim me standarde sa më të larta"

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Nina Guga, shprehu mbështetjen e ministrisë që ajo përfaqëson për shkollat e Fondacionit Maarif që ajo i konsideroi cilësore dhe që sipas saj kanë në themel qëllimin për një shkollë me nivel të lartë, për një mësimdhënie cilësore me metodologji bashkëkohore

"Jam e lumtur që Fondacioni Maarif ka si qëllim kryesor ofrimin e mundësive për një arsimim dhe edukim me standarde sa më të larta. Fondacioni shtetëror turk ka për qëllim të operojë bazuar në vlerat universale humane dhe të japë një kontribut të rëndësishëm në ngritjen e një sistemi të përbashkët edukimi pa dallime politike, ekonomike dhe fetare".

Ajo shtoi se ky fondacion do të jetë një kontributor i rëndësishëm në sistemin arsimor shqiptar, në rritjen e cilësisë së arsimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tij.

- "Aty ku hapet një institucion arsimor është një pikë ku hapet paqe

Zekeriya Akçam, përfaqësues i Fondacionit Turk Maarif tha se si institucion në të gjithë botën kanë 393 shkolla, mbi 45 mijë nxënës dhe veprimtaria arsimore zhvillohet në 67 shtete.

"Shkolla New York Maarif në Tiranë është bërë një ndër institucionet më të çmuar të këtij komuniteti. Shkollat këtu, në një kohë shumë të shkurtër kanë arritur që të jenë një nga shkollat më të suksesshme në Shqipëri", u shpreh Akçam.

Ai tha se ne besimin qe tregojnë prindërit dhe me rritjen e numrit të nxënësve, kanë punuar edhe për rritjen e cilësisë së kushteve të shkollës.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, tha se solidariteti midis popujve, midis qyteteve, vendeve dhe midis njerëzve bën që vendi të ecë parapara. "Ky është një moment i veçantë sepse aty ku hapet një institucion arsimor është një pike ku hapet dije dhe është një pikë ku hapet paqe. Të gjithë së bashku ne, institucionet shtetërore, fondacioni, prindërit dhe fëmijët duhet ta shikojnë këtë si një sfidë që të gjithë së bashku të bashkëpunojmë për të bërë të mundur përçimin e vlerave tek brezi i ri", u shpreh Seferi.

Në emër të prindërve përshëndeti Entela Hidri, e cila tha se në shkollat e Fondacionit Maarif gjejnë korrektësinë, ndihmën, përkujdesjen dhe profesionalizmin.

Procesi mësimor në institucionet e arsimit parauniversitar në Shqipëri filloi më 27 shtator, përfshirë edhe në institucionet e Fondacionit Maarif. Fondacioni Turk Maarif përveç Universitetit New York Tirana, administron edhe disa institucione arsimore në sistemin parauniversitar në Shqipëri, si gjimnazet "New York High School" dhe "IMSA High School Elbasan", shkollën 9-vjeçare "New York Basic Education" dhe kopshtin "IMSA Farm-Kindergarten".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın