BALLKANI

Shqipëri, 11 vatra zjarri ende aktive

Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, thuhet se vatrat e zjarrit janë evidentuar në disa bashki

Fatjon Cuka  | 23.07.2025 - Përdıtësım : 23.07.2025
Shqipëri, 11 vatra zjarri ende aktive Burimi: Bashkia Dibër

Tiranë

Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë evidentuar 22 vatra zjarri, ndërkohë 11 vatra janë ende aktive në disa bashki, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, thuhet se vatrat e zjarrit janë evidentuar në bashkitë Tiranë, Dibër, Mat, Vlorë, Elbasan, Kurbin, Lezhë, Devoll, Korçë, Pustec, Pogradec, Gjirokastër, Përmet, Fier, Berat, Dimal, Malësi e madhe dhe Kukës.

Në disa bashki të vendit, 11 vatra janë ende aktive, ndërkohë theksohet se si pasojë e zjarreve në 24 orët e fundit kryesisht në sipërfaqe me bimësi e pyjore, janë djegur rreth 17 hektarë.

Në javët e fundit në Shqipëri kanë vazhduar zjarret në disa zona. Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar Forcat e Armatosura të Shqipërisë, automjete zjarrfikëse, forca bashkiake, vullnetarë dhe forca të tjera operacionale.

Në ndihmë për shuarjen e zjarreve në Shqipëri u angazhuan edhe avionë nga Italia dhe Greqia, në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile e Shqipërisë, mbi operacionet për shuarjen e zjarreve ka njoftuar në rrjetet sociale se përpjekjet e koordinuara nga toka dhe ajri vijojnë me intensitet, "për të mbrojtur mjedisin, banesat dhe jetën e banorëve".

Sipas Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë, sa i përket rrezikut për zjarre, sot dhe nesër pritet nivel "i lartë" rreziku në të gjitha qarqet e vendit.

Sipas institutit, temperaturat sot pritet të arrijnë deri 36 gradë celsius dhe se nuk priten reshje në të gjithë territorin.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın