BALLKANI

Shqipëria me bazën e parë ajrore të NATO-s në Ballkanin Perëndimor

Shqipëria u zgjodh nga NATO për ndërtimin e një baze taktike ajrore në rajon dhe në janar të vitit 2022 filloi puna në terren për realizimin e projektit për modernizimin e Bazës Ajrore në Kuçovë, për ta shndërruar atë në një bazë taktike të NATO-s

Fatjon Cuka  | 16.03.2022 - Përdıtësım : 17.03.2022
Shqipëria me bazën e parë ajrore të NATO-s në Ballkanin Perëndimor Foto: Olsi Shehu/AA

Kuçovë

Fatjon CUKA

Bazat ushtarake në Shqipëri të trashëguara nga regjimi komunist janë disa, ndërkohë vitet e fundit në qendër të vëmendjes është rikthyer Baza Ajrore e Kuçovës, e cila do të shndërrohet në një bazë taktike të NATO-s, që konsiderohet baza e parë ajrore e Aleancës në Ballkanin Perëndimor.

Qëllimi i ndërtimit të kësaj baze disa dekada më parë nga qeveria komuniste si pjesë e Forcave Ajrore Shqiptare ishte reagimi për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë dhe pjesë e saj ishin avionë të ndryshëm të prodhimit rus dhe kinez, të cilët sot nuk janë në përdorim, por janë pjesë e historisë së kësaj baze.

Baza e cila është vendosur në territorin e Bashkisë Kuçovë, Qarku i Beratit, në jug të Shqipërisë, aktualisht ka dhjetëra avionë të vjetër të tipit Mig, si Mig-15, Mig-17 dhe Mig-19 që dikur ishin pjesë elitare e ushtrisë shqiptare, ndërsa sot tregojnë historinë e kësaj baze në dekadat e shkuara.

Major Arqile Olldashi, komandat i Bazës Ajrore të Kuçovës, duke folur për Anadolu Agency (AA) tregon se baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitin 1955.

"Në këtë bazë kanë fluturuar shumë tipe avionësh, si Mig-15, Mig-17, Mig-19 dhe ka qenë për kohën një bazë e fuqishme dhe me shumë fluturime, me shumë stërvitje të ndryshme që janë bërë në atë kohë. Baza Ajrore e Kuçovës fluturimet e fundit i ka mbaruar në vitin 2005", shprehet ai.

Sipas Olldashit, pas vitit 2005 kjo bazë ka kaluar në bazë për trajnimin dhe stërvitjen e pilotëve të Forcës Ajrore, për stërvitjet të ndryshme në mbështetje të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si dhe të vendeve anëtare të NATO-s, ku vlen të përmendet stërvitja "Defender Europe 21".

Pas përmbysjes së regjimit komunist, në kuadër të bashkëpunimit ushtarak dypalësh Turqi-Shqipëri, për modernizimin e Bazës Ajrore të Kuçovës kanë investuar Forcat e Armatosura të Turqisë, kryesisht në rrethimin e jashtëm, rindërtimin e pistës, ndërtim e kullës së kontrollit dhe trafikut ajror, si dhe të ambienteve për punë e stërvitje të personelit.

- Projekti për shndërrimin në bazë të NATO-s

Tre vite më parë, në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe 70-vjetorin e krijimit të Aleancës, marrëdhëniet Shqipëri-NATO hynë në një fazë të re, pas vendimit të Aleancës për të ndërtuar në Shqipëri një bazë taktike ajrore.

Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s u zgjodh nga Aleanca për ndërtimin e një baze taktike ajrore në rajon dhe në janar të vitit 2022 filloi puna në terren për realizimin e projektit për modernizimin e Bazës Ajrore në Kuçovë, për ta shndërruar atë në një bazë taktike të NATO-s.

Autoritetet shqiptare e konsiderojnë projektin sa ambicioz aq edhe të rëndësishëm për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, por edhe për sigurinë rajonale.

Projekti në fjalë përfshin punimet që do të përmirësojë infrastrukturën për kontrollin dhe sigurinë e fluturimeve, pistën, rrugët lidhëse, si dhe asetet e tjera ndihmëse.

Punimet parashikohet të përfundojnë në vjeshtën e vitit 2023 dhe sipas autoriteteve shqiptare baza do të jetë në përdorim të të dy palëve, të ushtrisë shqiptare dhe NATO-s.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, investimi në këtë bazë arrin vlerën e rreth 45,8 milionë eurove dhe konsiston në rindërtimin dhe ndërtimin e asetëve të nevojshme për realizimin e fluturimeve në përmbushje të standardeve të NATO-s

Shqipëria është vend anëtar i NATO-s që prej prillit të vitit 2009, ndërsa në dekadën e fundit Aleanca dhe Shqipëria kanë rritur partneritetin e tyre në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ushtria shqiptare që nga anëtarësimi në NATO është përfshirë në një proces transformimi dhe modernizimi, që nga kualifikimi i personelit, përmirësimi i infrastruktura ushtarake dhe modernizimi me pajisjet e mjetet e saj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.