BALLKANI

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut përshëndesin marrëveshjen Izrael-Hamas për armëpushimin në Gaza

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, kanë përshëndetur marrëveshjen për fazën e parë të planit të armëpushimit në Gaza

Abdulbesar Ademi, Fatjon Cuka, Agim Sulaj  | 09.10.2025 - Përdıtësım : 10.10.2025
Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut përshëndesin marrëveshjen Izrael-Hamas për armëpushimin në Gaza

Tiranë/Prishtinë/Shkup

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Izraelit dhe Hamasit dhe e cila pritet të hyjë në fuqi, për fazën e parë të planit të armëpushimit në Gaza, transmeton Anadolu.

- Begaj: Marrëveshja e fazës së parë e planit të paqes Izraeli-Hamas, një hap i rëndësishëm drejt paqes

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se marrëveshja e fazës së parë e planit të paqes midis Izraelit dhe Hamasit është një hap i rëndësishëm drejt paqes së drejtë dhe të qëndrueshme.

Begaj ka theksuar në rrjetet sociale se vlerëson rolin e presidentit amerikan, Donald Trump, sipas tij "për kontributin dhe përkushtimin e tij në arritjen e këtij procesi historik të paqes".

"Marrëveshja e fazës së parë e planit të paqes midis Izraelit dhe Hamasit është një hap i rëndësishëm drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, ndërprerjes së armiqësive dhe lirimit të pengjeve. Unë besoj se dialogu dhe mirëkuptimi i ndërsjellë mbeten e vetmja rrugë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme", ka shkruar Begaj.

- Osmani për dakordimin midis Izraelit dhe Hamasit: Moment përcaktues për paqen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me marrëveshjen e arritur mes Izraelit dhe Hamasit për fazën e parë të planit të paqes.

Presidentja Osmani në një postim në platformën amerikane të mediave sociale X, ka deklaruar se presidenti amerikan, Donald Trump dhe administrata e tij, kanë treguar lidership të vërtetë në sjelljen e paqes mes popujve të Izraelit dhe Palestinës.

"Një moment përcaktues për paqen. Paqe që është urgjente. Paqe që ka kohë që duhej të arrihej. Presidenti Donald Trump dhe administrata e tij kanë treguar lidership dhe përkushtim të vërtetë për të sjellë paqe të qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezët njësoj si dhe përkushtim të palodhur për t'i dhënë fund vuajtjeve që kanë duruar breza të tërë njerëzish të pafajshëm", ka shkruar ajo.

Osmani shtoi se mirënjohja shkon edhe për ndërmjetësit e Katarit, Egjiptit dhe Turqisë, për siç ka thënë "rolin kyç" që kjo marrëveshje të bëhet e mundshme.

- Mucunski: Marrëveshja e arritur sjell paqe të qëndrueshme në Gaza

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka përshëndetur njoftimin e marrëveshjes së arritur midis Hamasit dhe Izraelit, që synon të armëpushim në Gaza.

Mucunski konsideroi se kjo marrëveshje "sjell paqe të qëndrueshme në Gaza dhe shënon një hap drejt stabilitetit të qëndrueshëm në rajon".

"Ne përgëzojmë udhëheqjen vendimtare të presidentit amerikan Donald Trump dhe përpjekjet e palodhura të Katarit, Egjiptit dhe Turqisë në lehtësimin e këtij përparimi historik që do të shohë kthimin e pengjeve në shtëpi dhe ndihmën humanitare të arrijë tek civilët", tha Mucunski.

Trump kishte njoftuar se Izraeli dhe Hamasi arritën marrëveshje për fazën e parë të planit për armëpushim në Rripin e Gazës, e cila pritet të hyjë në fuqi.

Plani 20-pikësh, i njoftuar për herë të parë më 29 shtator, përfshin lirimin e të gjitha pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, një armëpushim, çarmatimin e Hamasit dhe rindërtimin e Gazës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.