Shqipëri, vijojnë aktivitetet për vënien nën kontroll të zjarrit në rrethinën e Gramshit
- Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, në postimin e tij në Facebook tha se "Në Skënderbegas të Gramshit, çdo minutë ka rëndësi".

Shkup
SHKUP (AA) - Përderisa vijojnë aktivitetet për vënien nën kontroll të zjarrit në rrethinën e Gramshit, janë dislokuar edhe zjarrfikës nga Korça dhe Pusteci në rajon, transmeton Anadolu.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, në postimin e tij në Facebook tha se "Në Skënderbegas të Gramshit, çdo minutë ka rëndësi".
"Në ndihmë të emergjencave lokale dhe Forcave të Armatosura në zonë, janë dislokuar edhe zjarrfikës nga Korça dhe Pusteci, për të mbyllur përfundimisht një front të vështirë dhe për të eliminuar çdo mundësi riaktivizimi të zjarrit", shtoi ai.
Ndërkohë, në deklaratën e bërë nga Policia e Shtetit, prej fillim të muajit qershor e deri më 14 gusht, Policia ka identifikuar 137 autorë të zjarrvënieve, nga të cilët 46 janë arrestuar, ndërsa 91 janë proceduar penalisht.
"Thirrje për të gjithë banorët: mos ndizni zjarr për djegien e mbetjeve të prodhimeve bujqësore apo për pastrimin e territorit, pa njoftuar dhe marrë masa me instancat përgjegjëse", thanë nga Policia e Shtetit.
Autoritetet dje patën bërë thirrje për evakuim lidhur me zjarret në Gramsh dhe Delvinë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) gjithashtu dje tha se mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e AKMC-së ndodhen në terren.