Shqipëri, vijojnë aktivitetet për vënien nën kontroll të zjarreve në mbarë vendin
- Kryeministri Rama ka theksuar se janë në angazhim maksimal për shuarjen e çdo vatre zjarri në veri të vendit.

Shkup
SHKUP (AA) - Përderisa vijojnë aktivitetet për vënien nën kontroll të zjarreve në mbarë Shqipërinë, 6 helikopterë vazhdojnë misionet për shuarjen e çdo vatre zjarri në veri të vendit, transmeton Anadolu.
"Që në orët e para të mëngjesit, 6 helikopterë janë në misione intensive në Fushë Arrëz, Mirditë dhe Bulqizë", ka shkruar kryeministri Edi Rama në postimin e tij në Facebook.
Rama ka theksuar se janë në angazhim maksimal për shuarjen e çdo vatre zjarri në veri të vendit.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 3 janë aktive dhe 6 janë në monitorim.
"Ka pasur një përmirësim të dukshëm të situatës nga zjarret në vend", thanë nga Ministria.
Ministria tha se po punohet me intensitet në Tërnovë të Bashkisë Bulqizë, Xeth të Bashkisë Fushë-Arrëz dhe Velë të Bashkisë Mirditë, ku marrin pjesë dhjetëra forca.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 52 automjete zjarrfikëse dhe 740 forca operacionale, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 323 forca ushtarake, 7 automjete zjarrfikëse dhe 1 helikopter të Forcave të Armatosura bëri të ditur ministria, duke shtuar se morën pjesë 4 helikopterë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Çekia dhe Sllovakia si dhe një avion Canadair nga Italia.