Shqipëri, TIKA vazhdon mbështetjen për familjet në nevojë
Nga projekti i TIKA-s janë ndihmuar 50 familje në nevojë që banojnë në Qarkun e Elbasanit dhe në Qarkun e Beratit, me gjithsej 1.750 fidanë ulliri dhe plehra kimikë

Tiranë
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për familjet në nevojë në Shqipëri, ndërkohë me realizimin e projektit të fundit ka shpërndarë fidanë ulliri dhe plehra kimikë për familjet e fëmijëve jetimë që jetojnë në Librazhd dhe Berat, raporton Anadolu.
Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e ndarjes së ndihmave në Librazhd, ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, u shpreh se uron që këto fidanë të kenë një efekt sa më të mirë për të lehtësuar dhe më shumë jetesën e familjeve në nevojë.
"Ne kemi organizuar një projekt duke marrë parasysh edhe vështirësitë e kohëve të fundit që janë kudo në botë, për të mbështetur më shumë familjet të cilat e kalojnë jetesën e tyre me bujqësinë dhe aktivitetin bujqësor, që është kyç në shoqërinë e sotme", tha Atay.
Atay theksoi se ndihmat që po i dorëzojnë sot janë një dhuratë nga zemra e popullit vëlla turk për popullin vëlla shqiptar.
Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, falënderoi institucionet turke në Shqipëri të cilat sipas tij janë gjendur gjithmonë pranë në realizimin e projekteve në ndihmë të familjeve që mbështeten nga fondacioni që ia drejton.
"Projekti i sotëm konsiston me ndihmën me 35 rrënjë ullinj (secila familje) për 50 familje dhe 50 kilogramë plehra kimikë. Shpresojmë që me ketë projekt të iu vijmë sadopak në ndihmë ju që banoni në zonat rurale dhe që keni mundësi të kultivoni ullirin. Nuk është rasti i parë që fondacioni jonë mbështetet me këto lloj projektesh nga TIKA dhe Ambasada e Türkiyes", tha Gurra.
Gurra theksoi ndër të tjera se shpresojnë që në vitet e ardhshme numri i projekteve të tilla të shtohet.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata.
Nga projekti i TIKA-s janë ndihmuar 50 familje në nevojë që banojnë në Qarkun e Elbasanit dhe në Qarkun e Beratit, me gjithsej 1.750 fidanë ulliri dhe plehra kimikë.