BALLKANI

Shqipëri, studim mbi reagimin e industrisë së turizmit për të prekurit nga tërmeti

Studimi është realizuar me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ndërsa në fokus ka pasur reagimin e industrisë së turizmit dhe qytetërëve të prekur nga tërmeti për akomodimin e tyre nëpër hotele

Fatjon Cuka   | 14.02.2020
Shqipëri, studim mbi reagimin e industrisë së turizmit për të prekurit nga tërmeti ( Olsı Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Gjatë një aktiviteti në Tiranë është prezantuar studimi mbi reagimin e industrisë së turizmit ndaj personave të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara (OKB), raporton Anadolu Agency (AA).

Studimi është realizuar me mbështetjen e Programit të OKB-së për Zhvillim (UNDP), ndërsa në fokus ka pasur reagimin e industrisë së turizmit dhe qytetërëve të prekur nga tërmeti për akomodimin e tyre nëpër hotele.

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi, në lidhje me angazhimin e industrisë së turizmit pas tërmetit tha se rasti i Shqipërisë po përdoret gjerësisht tashmë si një rast suksesi në historinë e suksesit në Organizatën Botërore të Turizmit, pasi sipas tij, ajo që ndodhi në Shqipëri është unikale.

Ministri Klosi theksoi se një pjesë e hoteleve në Shqipëri u përdorën në mënyrë të jashtëzakonshme për të krijuar një akomodim shumë të mirë dhe cilësor dhe një mbresë shumë të madhe tek njerëzit e prekur nga tërmeti.

"Operacioni është mbyllur sot. Në 17 hotele janë të evakuar të dëmtuarit nga tërmeti. Plot 4.200 qytetarë të këtij vendi ishin nëpër këto 17 hotele dhe tashmë janë larguar nga hotelet, por asnjëri prej tyre nuk është larguar pa marrë zgjidhjen e banesës se ku do të shkonte", tha Klosi.

Ndërsa Limya Eltayeb, përfaqësuese e UNDP-së për Republikën e Shqipërisë, tha se përveç angazhimit të qeverisë dhe OKB-së në terren u angazhua edhe biznesi privat, përfshirë edhe njësitë hotelerike.

"Shqipëria e tregoi në realitet në terren sesi mund të arrihet një bashkëpunim i tillë ndërmjet të gjithë aktorëve. Të hënën do të jem në Bruksel së bashku me kryeministrin e Shqipërisë dhe me shumë krerë të tjerë shtetesh ku do të prezantohen nevojat e Shqipërisë pas kësaj katastrofe. Dëmtimet më të mëdha kanë ndodhur në sektorin e banesave, por humbja më e madhe ka ndodhur tek bizneset", theksoi gjatë fjalës në aktivitet Eltayeb.

Sipas studimit, 84,5 për qind e qytetarëve të anketuar kanë treguar se janë shumë të kënaqur me shërbimet brenda hoteleve, përfshirë akomodimin, cilësinë e ushqimit, higjienën dhe shërbimet mirëmbajtëse. Ndërkohë marrëdhëniet e personave të prekur nga tërmeti me njëri-tjetrin, 63 për qind i kanë vlerësuar si pozitive.

Tërmeti shkatërrimtar i nëntorit të vitit të kaluar me magnitudë 6,3 ballë në Shqipëri, shkaktoi 51 viktima, plagosi 900 të tjerë, si dhe zhvendosi nga banesat e dëmtuara rreth 17 mijë njerëz. Në total prej kësaj katastrofe natyrore u prekën 202.291 persona.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın