BALLKANI

Shqipëri, shënohet Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe

Kryqi i Kuq Shqiptar me rastin e kësaj dite organizoi ekspozitën kombëtare të vizatimit "Fëmijët dhe Kryqi i Kuq", me qëllim që të përhapë tek fëmijët vlerat humanitare dhe të promovojë tek ata vullnetarizmin dhe humanizmin

Saimir Alija  | 08.05.2019 - Përdıtësım : 09.05.2019
Shqipëri, shënohet Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe  ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Me aktivitete të ndryshme në Shqipëri është shënuar Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, me fokus përhapjen e vlerave humanitare dhe edukimin e brezit të ri, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryqi i Kuq Shqiptar me rastin e kësaj dite organizoi ekspozitën kombëtare të vizatimit "Fëmijët dhe Kryqi i Kuq", e cila u prezantua në një ceremoni në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë. 

Në fjalën e tij në aktivitet, president i Kryqit të Kuq Shqiptar, Ylli Alushi, tha se ky aktivitet ka një rëndësi të veçantë, pasi sipas tij marrin pjesë një numër i madh të rinjsh. 

Shqipëri, shënohet Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe

Me aktivitete të ndryshme në Shqipëri është shënuar Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, me fokus përhapjen e vlerave humanitare dhe edukimin e brezit të ri. Kryqi i Kuq Shqiptar me rastin e kësaj dite organizoi ekspozitën kombëtare të vizatimit "Fëmijët dhe Kryqi i Kuq", e cila u prezantua në një ceremoni në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë. ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

"Të rinjtë pjesëmarrës janë përzgjedhur nga shkollat 9-vjeçare në të gjithë Shqipërinë. Në të 39 degët e Kryqit të Kuq Shqiptar në gjithë vendin janë rreth 250 shkolla 9-vjeçare që kanë angazhuar rreth 3000 të rinj, të cilët kanë paraqitur punimet e tyre për të konkurruar në këtë konkurs që është bërë tashmë një traditë", u shpreh Alushi. 

Sipas tij, nëpërmjet këtij aktiviteti bëhet një organizim mes Kryqit të Kuq, të rinjve dhe familjarëve. "Shumica e të rinjve në këtë përpjekje përfshijnë edhe familjarët e tyre, të cilët konsultohen që ta paraqesin sa më mirë idenë që ata kërkojnë të përçojnë përmes vizatimit, në mënyrë që materiali që do të paraqesin të jetë sa më dinjitoz", tha Alushi. 

Në këtë ekspozitë kanë marrë pjesë nxënës nga rreth 250 shkolla 9-vjeçare nga e gjithë Shqipëria, të cilët paraqitën punimet. 

Sipas organizatorëve, qëllimi i ekspozitës njëditore është të përhapë tek fëmijët vlerat humanitare dhe të promovojë tek ata vullnetarizmin dhe humanizmin në ndihmë të komunitetit në përgjithësi dhe njëri-tjetrit.

Gjatë ditës së sotme, me rastin e 8 Majit, Ditës Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit do të zhvillohen aktivitete të organizuara nga Kryqi i Kuq Shqiptar, me qëllim sensibilizimin e të rinjve për të ruajtur vlerat humanitare si dhe për promovimin e vullnetarizmit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.