BALLKANI

Shqipëri, sërish protestë kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe produkteve ushqimore

Protestuesit kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për të mos vazhduar rritja e çmimeve, ndërkohë kërkojnë edhe pezullimin e tatimit mbi vlerën e shtuar për disa nga produktet ushqimore

Fatjon Cuka  | 19.03.2022 - Përdıtësım : 20.03.2022
Shqipëri, sërish protestë kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe produkteve ushqimore Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Në Shqipëri vazhdojnë protestat kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe të produkteve ushqimore, si dhe me kërkesën për pezullimin e disa taksave, me thirrjen e aktivistëve të shoqërisë civile, raporton Anadolu Agency (AA).

Qindra protestues nga qytete të ndryshme të vendit janë mbledhur fillimisht në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë për të vazhduar më pas para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ku aktivistët dhe qytetarët kanë bërë thirrje për moslejimin e rritjes së çmimeve.

Protestuesit kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për të mos vazhduar rritja e çmimeve, ndërkohë kërkojnë edhe pezullimin e tatimit mbi vlerën e shtuar për disa nga produktet ushqimore.

Protesta ka vazhduar e qetë dhe pa incidente, ndërkohë një pjesë e pjesëmarrësve kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë në protestë deri në 24 orë, ndërsa për mbarëvajtjen e saj janë angazhuar qindra forca policore.

Në javët e fundit në Shqipëri është shënuar rritje e çmimeve të karburantit, duke arritur edhe në nivel rekord, disa ditë më parë mbi 2 euro për litër, por duke pësuar përsëri ulje, si dhe rritje e çmimeve të produkteve ushqimore.

Për situatën e çmimeve në vend, Qeveria e Shqipërisë ka bërë të ditur se do ndërmerren disa masa, si mbështetja për fermerët me naftë pa taksa, kompensim për disa kategori për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, heqje dhe ulje e taksave për disa kategori të pagave, mbështetje me buxhet për të mbajtur të palëvizur çmimin e energjisë elektrike, në faturat e bizneseve të vogla dhe konsumatorëve familjarë dhe masa të tjera.

Pas rritjes së çmimeve, më 9 mars filluan protestat në Tiranë dhe qytetet e tjera të vendit, ku organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët kërkuan ndërhyrjen e institucioneve për të mos lejuar rritjen e mëtejshme të çmimeve apo edhe uljen e tyre.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka kundërshtuar protestat, duke theksuar se rritja e çmimeve është pasojë e luftës në Ukrainë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın