Shqipëri, protestë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Mijëra persona nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora shqiptare janë mbledhur në Sheshin "Skënderbeu" në Tiranë me flamuj kombëtarë dhe simbole të tjera kombëtare

Tiranë
Në Shqipëri është mbajtur një protestë kombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me moton "Unë jam UÇK", raporton Anadolu.
Mijëra persona nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora shqiptare janë mbledhur në Sheshin "Skënderbeu" në Tiranë me flamuj kombëtarë dhe simbole të tjera kombëtare.
Pjesë e protestës ishte edhe Agim Pllashniku, veteran i UÇK-së, që u nis në këmbë nga Prishtina për të marrë pjesë në protestën në Tiranë.
Në një deklaratë për Anadolu, Pllashniku tha se ia ka arritur qëllimit dhe se ndihet shumë i gëzuar.
"Këtë iniciativë e kam marrë para dy ditësh. Kam udhëtuar dy ditë e dy netë për të mbërritur sot në këtë protestë të madhe. E falënderoj shtetin shqiptar, edhe Kosovën e falënderoj policinë e Kosovës dhe të Shqipërisë për përkrahjen. Edhe populli shqiptar më ka përkrahur në çdo hap", tha Pllashniku.
Në protestë morën pjesë edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së, të cilët bënë thirrje për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, që po mbahen në paraburgim Hagë.
Për protestën kanë reaguar edhe zyrtarë të lartë të Shqipërisë, si Presidenti Bajram Begaj dhe Kryeministri Edi Rama.
Begaj ka shkruar në rrjetet sociale se UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës. "Ajo(UÇK-ja) është krenari e historisë sonë kombëtare. Askush nuk mund të zhbëjë këtë trashëgimi trimërie, sakrifice e heroizmi", ka shkruar Begaj.
Kryeministri Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video nga protesta, duke shkruar: "Zemra mal".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.