BALLKANI

Shqipëri, protestë kundër projektligjit "Për barazinë gjinore"

Sipas organizatorëve, projektligji "Për barazinë gjinore" është "projektligj antikombëtar, antifamilje dhe antifëmijë dhe kundër traditës dhe kulturës shqiptare"

Fatjon Cuka  | 06.11.2025 - Përdıtësım : 06.11.2025
Shqipëri, protestë kundër projektligjit "Për barazinë gjinore" Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Në Shqipëri është mbajtur një protestë kundër projektligjit "Për barazinë gjinore", për të cilin do të diskutohet sot në seancën parlamentare, raporton Anadolu.

Dhjetëra qytetarë, por edhe përfaqësues të organizatave të ndryshme dhe aktivistë janë mbledhur para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, gjatë kohës që po fillonte seanca plenare.

Me pankartat me mbishkrimet, "projektligji i barazisë gjinore është i barabartë me antifamilje", "Ka vetëm dy gjini, mashkull dhe femër", "Deputetë, do të mbetet në histori vota jote sot", "Projektligji i barazisë gjinore, armiqësi kundra besimit", "Shqiptarët kundër edukimit gjinor në shkolla", protestuesit u kanë bërë thirrje deputetëve mos ta votojnë projektligjin.

Protestës iu bashkuan edhe disa deputetë të partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë, përfshirë kryetarin e saj dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Protesta është organizuar nga organizata të shoqërisë civile dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilat në javët e fundit kanë kundërshtuar disa nene të projektligjit në fjalë. Sipas organizatorëve, projektligji "Për barazinë gjinore" është "projektligj antikombëtar, antifamilje dhe antifëmijë dhe kundër traditës dhe kulturës shqiptare".

Sipas tyre, projektligji lë hapësirë për keqpërdorimin e nocioneve mbi gjininë dhe se është i pazbatueshëm në praktikë.


- Projektligji

Sipas autoriteteve shqiptare, projektligji "Për barazinë gjinore", ka si qëllim të rregullojë çështjet themelore të barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës publike dhe private për arritjen e barazisë gjinore plotësisht dhe në mënyrë efektive, ligjërisht dhe në praktikë.

Gjithashtu theksohet se synon trajtimin e barabartë, pavarësisht përkatësisë gjinore, përmes mbrojtjes, mundësive të barabarta për ushtrimin e të drejtave dhe gëzimin e të mirave dhe shërbimeve, pjesëmarrjes, përfaqësimit dhe ndihmesës në zhvillimin e të gjitha fushave të jetës shoqërore.

Projektligji shkaktoi reagime në Shqipëri, pasi fillimisht përcaktonte gjininë si gjithëpërfshirëse.

Me propozimet e reja për ndryshime në projektligj, thuhet se "gjini", nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat.

Projekti final i projektligjit pritet të miratohet sot nga Kuvendi i Shqipërisë, pas diskutimeve në seancën plenare.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın