BALLKANI

Shqipëri, përfundon procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare

Sipas të dhënave nga KQZ-ja, pjesëmarrja në votime deri në orën 18:00 ishte 41,37 për qind nga të dhënat e përpunuara për 3.880 qendra nga gjithsej 5.225

Fatjon Cuka  | 11.05.2025 - Përdıtësım : 12.05.2025
Shqipëri, përfundon procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Në Shqipëri ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare, raporton Anadolu.

Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe procesi i votimit vazhdoi deri në orën 19:00, sipas orarit zyrtar, siç është edhe e përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Ndërkohë, në disa qendra votimi procesi ka vazhduar edhe disa minuta, për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pjesëmarrja në votime deri në orën 18:00 ishte 41,37 për qind nga të dhënat e përpunuara për 3.880 qendra nga gjithsej 5.225.

Pas dorëzimit të materialeve zgjedhore në qendrat e numërimit do të fillojë procesit i numërimit të votave.

Të drejtën e votës e kishin 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, ndër ta 114.642 zgjedhës votojnë për herë të parë.

Numri i zonave zgjedhore është 12 në të gjithë vendin dhe numri i mandateve të deputetëve për çdo zonë varion nga 3 mandate për Qarkun e Kukësit dhe deri në numrin më të madh të mandateve, në 37 mandate për Qarkun e Tiranës.

Risia kryesore e zgjedhjeve ishte votimi nga jashtë Shqipërisë, pasi për herë të parë votuan edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Procesi i votimit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit filloi më 15 prill 2025 në rrugë postare.

Zgjedhjet janë vëzhguar nga një mision i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Delegacione vëzhguese gjithashtu kishte edhe nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe një delegacion nga Parlamenti Evropian, si dhe nga organizata të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın