BALLKANI

Shqipëri, organizohet konferenca rajonale për zhvillimin e turizmit

Konferenca e organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal kishte në fokus diskutimet mbi përmirësimin e klimës së biznesit për investime të qëndrueshme në turizëm

Fatjon Cuka  | 12.05.2022 - Përdıtësım : 12.05.2022
Shqipëri, organizohet konferenca rajonale për zhvillimin e turizmit

Tiranë

Në Shqipëri është organizuar konferenca ministrore e Ballkanit Perëndimor me temë “Heqja e barrierave për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit”, e cila ka mbledhur së bashku përfaqësues të ministrive të turizmit nga vendet e rajonit, përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe organizatave të turizmit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, gjatë fjalës së saj përshëndetëse në konferencë u shpreh se Shqipëria është ura ku kalojnë kulturat.

"Turistët qëndrojnë më shumë nëse ne hapim dyert dhe mendjet tona dhe i bëjmë të shëtisin nga njëri vend në tjetrin brenda rajonit. Hapja turistike e Ballkanit i jep sens ekonomik ‘Ballkanit të Hapur’, duke krijuar një treg të ri, por edhe itinerare më të gjata, më të diversifikuara. Jemi vende shumë të vogla për të krijuar tregje e harta turistike të izoluara. Siç promovojmë veten, të promovojmë edhe njëri-tjetrin. Nuk jemi konkurrente, jemi komplementarë. Ballkani është shtëpia jonë e përbashkët", tha ajo.

Ministrja Kumbaro theksoi se Shqipëria nuk është destinacioni klasik turistik, por sipas saj prej disa vitesh ajo është kthyer në destinacionin për t'u zbuluar dhe destinacioni i preferuar i kureshtarëve.

Në konferencë ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se kryeqyteti i Shqipërisë është sot një nga qytetet më të ndërlidhura në Ballkan.

“Shumë prej kolegëve nga vendet e rajonit vijnë në Tiranë për t’u lidhur me disa pjesë të Evropës, ku aeroporti ynë dhe ulja e barrierave, e ka bërë jashtëzakonisht të lehtë mundësinë për t’u lidhur me kosto shumë të përballueshme,” tha Veliaj.

Konferenca rajonale e organizuar në Tiranë nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal kishte në fokus diskutimet mbi përmirësimin e klimës së biznesit për investime të qëndrueshme në turizëm.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın