BALLKANI

Shqipëri, mbahet sërish protestë antiqeveritare

Qindra qytetarë morën pjesë në protestën e emërtuar “Foltore", organizuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë.

Fatjon Cuka  | 08.12.2025 - Përdıtësım : 08.12.2025
Shqipëri, mbahet sërish protestë antiqeveritare Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Në Shqipëri është mbajtur sërish protestë antiqeveritare, organizuar nga partia më e madhe e opozitës, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), raporton Anadolu.

Qindra qytetarë morën pjesë në protestën e emërtuar “Foltore", organizuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë.

Gjatë protestës u theksua se "PD-ja ka sjellë ndryshime në Shqipëri", ndërsa folësit u fokusuan edhe në Ditën Kombëtare të Rinisë që shënohet më 8 dhjetor.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalës në protestë u shpreh se është koha e guximtarëve dhe e njerëzve që e duan Shqipërinë.

"Të përballemi me çdo çmim, të përballemi me çdo kusht, të përballemi për dinjitetin tonë, të përballemi për të ardhmen tonë, të përballemi për vendin tonë, për familjet tona, për fëmijët tanë, për fëmijët e fëmijëve tanë. Ky është borxhi ynë, kjo është detyra jonë", tha Berisha, duke iu drejtuar protestuesve.

Berisha iu bëri thirrje pjesëmarrësve të përgatiten që të nisin "protestat e fuqishme" me të cilat, sipas tij, do t'ua rikthejnë shqiptarëve "të ardhmen, Shqipërinë, nderin dhe dinjitetin që meritojnë".

Gjatë protestës mbajtën fjalime edhe mbështetës të PD-së, ndërsa u shfaqën pankarta me mesazhe kundër qeverisë dhe përfaqësuesve të saj, sipas organizatorëve, mbi rastet e korrupsionit.

Në javët e fundit në Shqipëri janë organizuar disa protesta të ngjashme, ndërkohë që Partia Demokratike ka paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në javët e ardhshme.

Sipas PD-së, opozitës i është mohuar në muajit e fundit fjala në parlament dhe protestat mbahen edhe kundër rasteve të korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın