Shqipëri, mbahet koncerti i bandave ushtarake "Së bashku për paqen”
Koncerti i cili u ndoq nga zyrtarë, ushtarakë dhe qytetarë të shumtë është organizuar me qëllim bamirësie, pasi të ardhurat e realizuara nga biletat do të shkojnë në mbështetje të familjeve me fëmijë të lënduar nga lufta në Ukrainë

Tiranë
Në kuadër të aktiviteteve për 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, në Tiranë është organizuar koncerti "Së bashku për paqen”, me pjesëmarrjen e bandave frymore të ushtrive nga disa vende, raporton Anadolu Agency (AA).
Koncerti i cili u ndoq nga zyrtarë, ushtarakë dhe qytetarë të shumtë është organizuar me qëllim bamirësie, pasi të ardhurat e realizuara nga biletat do të shkojnë në mbështetje të familjeve me fëmijë të lënduar nga lufta në Ukrainë.
Mbi 300 artistë nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe bandat e ushtrisë së Kosovës dhe nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Sllovenia kanë performuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Ndërkohë, bandat muzikore që ishin pjesë e koncertit në Tiranë, në ditët e fundit kanë marrë pjesë në aktivitete të ndryshme festive në disa qytete të Shqipërisë, në kuadër të aktiviteteve për 110-vjetorit të Ushtrisë së Shqipërisë.
Eventi u organizua nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Bashkisë së Tiranës dhe Ambasadës së Ukrainës në Shqipëri.
Kujtojmë se më 4 dhjetor të këtij viti shënohet 110-vjetori i krijimit të Ushtrisë së Shqipërisë.