Shqipëri, mbahet Asambleja e Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore
Pjesëmarrësit do të diskutojnë çështje që kanë të bëjnë me sfidat me të cilat përballet mjedisi mediatik, mbi Aktin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA), çështjet e barazisë gjinore, edukimin mediatik dhe dokumentet udhëzues të UNESCO-s

Tiranë
Shqipëria po organizon për herë të parë Asamblenë Plenare të 22-të të Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore (MNRA), me pjesëmarrjen e delegacioneve nga disa vende, raporton Anadolu.
Punimet e kësaj asambleje dyditore u hapën në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ku pjesëmarrësit nga disa shtete do të diskutojnë çështje që kanë të bëjnë me sfidat me të cilat përballet aktualisht mjedisi mediatik, mbi Aktin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA), çështjet e barazisë gjinore, edukimin mediatik dhe dokumentet udhëzues të UNESCO-s.
Pjesë e punimeve të asamblesë është edhe një delegacion nga Türkiye, me përfaqësues nga Këshilli Suprem i Radio dhe Televizionit të Türkiyes(RTÜK).
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive të Shqipërisë (AMA), Armela Krasniqi, në fjalën e saj në hapje të aktivitet tha se gjatë këtyre dy ditëve do të kenë mundësinë e njohjes së realiteteve që ka secili nga vendet, por edhe të shkëmbejnë eksperiencat mes njëri-tjetrit.
"Aktualisht, autoritetet rregullatore të mediave po përshtaten me detyrat dhe përgjegjësitë që kemi përpara, ndaj po zhvillojmë edhe qasje të reja sa i takon rregullimit ligjor. Ky proces i planifikimit strategjik, përcaktimit të prioriteteve dhe politikave të përputhshmërisë dhe zbatimit, do të jenë temë e diskutimit gjatë këtyre dy ditëve", tha Krasniqi.
Krasniqi u shpreh se Akti Evropian për Lirinë e Medias është një instrument shumë i dobishëm i Bashkimit Evropian, sipas saj, për të mbrojtur pluralizmin, por edhe pavarësinë e medias.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe presidenti i Grupit të Rregullatorëve Evropianë për Shërbimet Mediatike Audiovizive (ERGA), Giacomo Lasorella, i cili tha se ERGA gjithmonë ka theksuar rolin e rëndësishëm të rregullatorëve vendas, duke përcaktuar sipas tij edhe fushat dhe instrumentet e bashkëpunimit.
Në takim, përveç përfaqësuesve të enteve rregullatore të mediave të vendeve anëtare të MNRA-së, janë edhe përfaqësues të Organizatës s ë Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) dhe përfaqësues të platformës Facebook dhe Tik-Tok, ndërkohë diskutimet janë të organizuara në formën e paneleve.
Gjatë punimeve të asamblesë do të bëhet dorëzimi i presidencës së radhës së MNRA-së nga Kroacia tek Shqipëria.
Rrjeti Mesdhetar i Autoriteteve Rregullatore daton që nga 1997, kur u nënshkrua marrëveshja e parë për krijimin e një rrjeti të përhershëm të Autoriteteve Rregullatore të Mesdheut. Sipas AMA-s, Rrjeti Mesdhetar i Enteve Rregullatore numëron aktualisht 27 anëtarë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.