Shqipëri, mbahen takime mes bizneseve turke dhe shqiptare
ATTSO dhe BALKANTURKSIAD kanë organizuar në Tiranë një aktivitet me fokus prezantimin e kompanive dhe realizimin e takimeve B2B mes kompanive turke dhe shqiptare
Tiranë
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi (ATTSO) dhe Shoqata e Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Ballkan-Rumeli (BALKANTURKSIAD) kanë organizuar në Tiranë një aktivitet me fokus prezantimin e kompanive dhe realizimin e takimeve B2B mes kompanive turke dhe shqiptare, raporton Anadolu.
Pjesë e aktivitetit ishin drejtori i Zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, kryetari i Bordit Drejtues të ATTSO-së, Kenan Sevinç, sekretari i përgjithshëm ATTSO-së, Ziya Arnavutoglu, kryetari i Bordit të BALKANTURKSIAD, Iskender Iskenderoglu, dhe përfaqësues të kompanive shqiptare dhe turke nga sektorë të ndryshëm.
Gjatë fjalës së tij Sevinç u shpreh se objektivi kryesor i tyre është t'u japin marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve një strukturë më të fortë dhe më të qëndrueshme.
Ai theksoi se ATTSO është një institucion urë që bashkon sipërmarrësit turq dhe shqiptarë, që veprojnë në Shqipëri dhe sipas tij që punon për përmirësimin e klimës së investimeve.
Iskenderoglu tha se takimi i sotëm bashkon botën e biznesit të Turqisë dhe Shqipërisë dhe shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten në një histori shumë të gjatë të përbashkët.
Gjatë aktivitetit u shfaqën video prezantuese për organizatat dhe kompanitë pjesëmarrëse dhe u diskutua për çështje të tjera për sektorët e sistemit ligjor, sistemit të tatimeve, energjisë dhe bankave.
Gjithashtu u nënshkrua një protokoll bashkëpunimi mes ATTSO dhe BALKANTURKSIAD.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
