Shqipëri, konstituohet komisioni parlamentar për reformën zgjedhore
Komisioni ka objekt të veprimtarisë së tij hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore, trajtimin e rekomandimeve në raportet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe për zgjedhjet parlamentare të 11 majit
Tiranë
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore pranë Kuvendit të Shqipëri ka mbajtur sot mbledhjen e parë, raporton Anadolu.
Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i komisionit si përfaqësues i partisë në pushtet, Partisë Socialiste, në hapje të mbledhjes u shpreh se ky komision është ngritur me konsensusin e të gjitha forcave politike.
"Shpresojmë që kësaj here të bëjmë një reformë reale të plotë dhe konsensuale. Shpresoj që puna e këtij komisioni edhe në frymën tashmë të traditës së krijuar të jetë bashkëpunuese, gjithmonë me qëllimin e arritjes dhe gjetjes së zgjidhjeve që i bëjnë zgjedhjet më të mira. Ne na intereson që ky komision të jetë komision pune për të dalë me një produkt", tha Gjiknuri.
Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i komisionit si përfaqësues i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike, u shpreh se angazhimi maksimal i opozitës është që çdo problem të trajtohet në mënyrë më të plotë.
"Topi është në fushën e maxhorancës që të tregojë vullnetin politik që reforma zgjedhore të jetë një reformë që ka sukses për shqiptarët dhe jo për partitë politike", tha Bylykbashi.
Më 27 tetor 2025, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore.
Sipas Kuvendit të Shqipërisë, ky komision ka objekt të veprimtarisë së tij hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore, trajtimin e rekomandimeve në raportet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
