BALLKANI

Shqipëri, inaugurohet spitali i ndërtuar nga Turqia

Në ceremoni nëpërmjet video-lidhjes përshëndeti presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, ndërkohë të pranishëm ishin edhe kryeministri Rama, ministri turk i Shëndetësisë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë dhe zyrtarë të tjerë

Fatjon Cuka   | 21.04.2021
Shqipëri, inaugurohet spitali i ndërtuar nga Turqia Foto: Olsi Shehu / AA

Fier

Nëpërmjet një ceremonie është inauguruar Spitali Rajonal Memorial në Fier, i cili është ndërtuar me mbështetjen financiare të Republikës së Turqisë, raporton Anadolu Agency(AA).

Shqipëri, inaugurohet spitali i ndërtuar nga Turqia

Nëpërmjet një ceremonie është inauguruar Spitali Rajonal Memorial në Fier, i cili është ndërtuar me mbështetjen financiare të Republikës së Turqisë. Në ceremoni nëpërmjet video-lidhjes përshëndeti Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërkohë të pranishëm ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, dhe zyrtarë të tjerë. ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Në ceremoni nëpërmjet video-lidhjes përshëndeti Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërkohë të pranishëm ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe zyrtarë të tjerë.

Gjatë fjalës përshëndetëse, kryeministri Rama duke iu drejtuar presidentit Erdoğan si një mik i shtrenjtë, tha se inaugurimi është një moment realisht shumë frymëzues.

"Unë dua të flas disa fjalë për vlerën e jashtëzakonshme që ky spital ka përtej shërbimeve që do të ofrojë. Për vlerën si një qendër e transferimit të asaj dije të madhe që Turqia mike ka krijuar dhe që bujarisht do ta ndajë me ne në mënyrë që modeli aq i suksesshëm i shëndetësisë publike në Republikën e Turqisë, një sukses botërisht i duartrokitur dhe admiruar të bëhet edhe modeli i shëndetësisë shqiptare në vitet që kemi përpara nesh", tha Rama.

Rama tha se "Turqia shihet nga jashtë dhe larg si një vend që ka pasur zhvillime të mëdha në të gjitha drejtimet, por zhvillimi më i madh, më domethënës dhe më strategjik i Turqisë, në vitet e udhëheqjes të kryeministrit dhe pastaj të presidentit të Republikës është bagazhi i shumëfishuar i dijes".

"Jemi me fat që të kemi një vend kaq mik dhe njëkohësisht kaq të gatshëm për të ndarë me ne dijen e vet", u shpreh kryeministri i Shqipërisë.

Rama theksoi se ky spital është fillimi i një pune të përbashkët që do ta kthejë në vitet që vijnë edhe shëndetësinë shqiptare sipas tij në një histori suksesi njësoj si shëndetësinë turke.

Ministri turk, Koca, duke dhënë detaje rreth organizmit të spitalit, tha se për këtë spital sjellin pajisjet më moderne.

Ai theksoi se pas gjithë kësaj pune madhështore "arritëm që brenda dy muaj e gjysmë që ishte premtuar nga presidenti ta bënim realitet".

"Ky spital do të funksionojë me modelin që ne kemi filluar ta zbatojmë që në vitin 2002, pra spitali i miqësisë shqiptaro-turke. Unë besoj që spitali i Fierit, i miqësisë shqiptaro-turke me pajisjet moderne, me shërbimin e tij modern në fillim do të jetë në shërbim të gjithë shqiptarëve, por më pas për të gjithë Ballkanin do të jetë një derë për të kuruar të sëmurët. Ne do të fillojmë të zbatojmë së bashku me miqtë tanë shqiptarë të gjithë mendësinë tonë në lidhje me sistemin shëndetësor dhe pajisjet tona më moderne", u shpreh ministri Koca.

Ministri turk theksoi se dëshiron që gjithë bashkëpunimi në këto vite mes dy vendeve të shtohet dhe më shumë duke pasur parasysh sipas tij "marrëdhëniet miqësore që ne kemi pasur në shekujt e kaluar".

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, tha se arritën ta përfundojnë spitalin fale bujarisë së Turqisë.

"Jam shumë e emocionuar dhe e kënaqur që tashmë bëjmë realitet një ëndërr të shumë pritur, një premtim të kryeministrit Rama për të ndërtuar një spital rajonal, një qendër ekselence në Fier për të gjithë rajonin e jugut. Në janar të këtij viti, presidenti i Republikës së Turqisë, premtoi se do të ndërtohej ky spital brenda tre muajve", u shpreh gjatë fjalës në ceremoni Manastirliu.

Ajo tha më tej se "Fale bujarisë të një vendi mik ne ia dolëm të përfundim këtë vepër të madhe, por edhe falë punës të një ekipi që e ndoqi me shumë seriozitet. Ne në këtë spital do të vendosim modelin e autonomisë spitalore. Do të jetë data 20 maj kur ne këtë spital do ta hapim dhe do të ofrojmë shërbime për qytetarët shqiptarë".

Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtuesi i kompanisë YDA Group që ka realizuar punimet, Hüseyin Arslan, i cili duke falënderuar zyrtarët e të dy vendeve, tha se në një kohë rekord arritëm të përfundojnë spitalin.

"Vizioni dhe motivacioni i vërtetë për ndërtimin dhe përfundimin e këtij projekti në një kohë kaq rekord është padyshim Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan", u shpreh Arslan.

Spitali do të ketë 150 shtretër dhe në këtë spital do të shërbejnë 398 punonjës, përfshirë edhe staf administrativ, ku 56 prej tyre janë planifikuar që të vijnë nga sistemi shëndetësor turk. Spitali do të administrohet dhe menaxhohet nga një ekip i përbashkët shqiptar dhe turk në një periudhë tranzitore. Sipas autoriteteve shqiptare do të jetë spitali parë ku do të zbatohet autonomia spitalore në Shqipëri, një mënyrë e re menaxhimi spitalor.

Spitali rajonal në Fier do të ofrojë shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.

Delegacioni turk, i kryesuar nga ministri Koca, i shoqëruar edhe nga ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ka vizituar edhe Xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë, e cila është restauruar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın