Shqipëri, gjykata shpall fajtor ish-ministrin Tahiri
Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka marrë vendimin përfundimtar për dënimin me shërbim prove për një periudhë prej 3 vitesh për shpërdorim detyre

Tiranë
Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka shpallur fajtor ish-ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri, pas përfundimit të gjykimit ndaj tij i akuzuar për disa vepra penale, por i dënuar vetëm për njërën prej tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas një seance maratonë, gjykata ka marrë vendimin përfundimtar për dënimin me shërbim prove për një periudhë prej 3 vitesh për shpërdorim detyre.
"Gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Saimir Tahiri për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe dënimin e tij me pesë vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet përfundimisht me 3 vite e 4 muaj burgim. Urdhërohet pezullimi i vuajtjes së dënimit me burgim dhe vënien e tij në provë për një afat prej 3 vitesh me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale", thuhet në vendimin e trupës gjykuese të përbërë nga tre gjyqtarë.
Tahiri aktualisht nuk ndodhet i paraburgosur, ndërsa vendimi ndaj tij pritet të apelohet në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda në Tiranë.
Tahiri u hetua dhe gjykua edhe për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, për të cilat u shpall i pafajshëm.
Kujtojmë se Saimir Tahiri ka mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme në periudhën 2013- 2017.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.