Shqipëri, gjashtë vatra zjarri ende aktive
- Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar Forcat e Armatosura të Shqipërisë, automjete zjarrfikëse dhe forca të tjera operacionale.

Tiranë
TIRANË (AA) - Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë raportuar 19 vatra zjarri, ndërkohë sipas autoriteteve gjashtë vatra janë ende aktive, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë Tiranë, Vlorë, Elbasan, Poliçan, Berat, Has, Bulqizë, Malësi e Madhe, Lezhë, Kolonjë, Korçë Kavajë, Finiq dhe Fier.
Aktive mbeten ende vatra e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve në Elbasan dhe vatrat në disa bashki të tjera të vendit. Në njoftim ndër të tjera thuhet se si pasojë e zjarreve të rëna kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre e barishte janë djegur rreth 65 hektarë me bimësi.
Ministria ka njoftuar se në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar Forcat e Armatosura të Shqipërisë, automjete zjarrfikëse dhe forca të tjera operacionale.
Në ditët e fundit Shqipëria është përfshirë nga temperatura të larta, ku si pasoje kanë vazhduar zjarret në disa zona të vendit. Sipas Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë, sa i përket rrezikut për zjarret në pyje, sot dhe nesër pritet nivel rreziku "i lartë" në të gjitha qarqet.