Shqipëri, forum diskutimi për "ndikimin e zgjedhjeve në forcimin e demokracisë"
"Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, renditen si ndër më të rëndësishmet për Shqipërinë, pasi nëse ato klasifikohen si demokratike dhe të pakontestueshme, do t'i krijojnë hapësirat drejt rrugës së hapjes së negociatave të Bashkimit Evropian"

Tiranë
Aktiviteti me temë "Forumi i Demokracisë Tiranë", me fokus diskutimet për zgjedhjet dhe rolin e tyre në forcimin e demokracisë, si dhe situatën e të rinjve në vend, ka mbledhur së bashku ambasadorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe studiues nga fusha të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Forumi u organizua nga Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) dhe Qendra për të Drejtat e Fëmijëve (CRCA), në bashkëpunim me organizata të tjera të shoqërisë civile që kanë në fokus mbështetjen ndaj të rinjve.
Sipas organizatorëve të aktivitetit, zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, renditen si ndër më të rëndësishmet për Shqipërinë, "pasi nëse ato klasifikohen si demokratike dhe të pakontestueshme, do t'i krijojnë hapësirat drejt rrugës së hapjes së negociatave të Bashkimit Evropian".
Drejtori i CRCA-së, Altin Hazizaj, në një deklaratë për mediat gjatë aktivitetit tha se qëllimi i forumit është që të krijojë një bazë debati, diskutimi dhe reflektimi për gjendjen e demokracisë në Shqipëri.
"Mund të kthehet në një forum të hapur të qytetarëve, publicistëve, gazetarëve, intelektualëve në Shqipëri në lidhje me atë se çfarë shoqëria jonë duhet të bëjë në mënyrë që sistemi jonë demokratik të forcohet sa më shumë. Nga ana tjetër po sot kemi prezantuar një dokument tepër interesant siç është kontrata kombëtare për rininë, i cili është një dokument që përmban disa gjetje sa shqetësuese aq edhe interesante sa i përket largimit të rinisë nga Shqipëria, por edhe zgjidhjet që rinia shqiptare shikon si një shkak për të qëndruar dhe për të vazhduar të kontribuojë në këtë vend", theksoi Hazizaj.
Diskutimet kishin në fokus disa çështje në lidhje me pritshmëritë e të rinjve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen më 25 prill, besimin që kanë të rinjtë tek partitë politike dhe rezultatet e qeverisë aktuale nga këndvështrimi i te rinjve dhe ndikimin e zgjedhjeve parlamentare dhe fushatës elektorale në forcimin e demokracisë.
Gjatë aktivitetit u prezantuan edhe rezultatet e anketës kombëtare të të rinjve në Shqipëri, e përgatitur nga Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN), që ka si qëllim të paraqesë pritshmëritë e të rinjve për partitë politike, politikanët dhe vendimarrësit.
Sipas anketës, rreth 58 për qind e të rinjve deklarojnë se do të dalin të votojnë "për shkak të kushteve në të cilat ndodhet vendi". Bazuar në rezultatet e anketës, “dëshira për t’u larguar në një vend tjetër vijon të mbetet tek të rinjtë një prej çështjeve më shqetësuese”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.