Shqipëri, ekspozitë me piktura për poetin Yunus Emre
Në ekspozitë paraqiten punimet e përzgjedhura të pjesëmarrësve në "Konkursin e Pikturës Yunus Emre 2021" nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Turqia, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Bullgaria, konkurs i cili u organizua gjatë muajve të verës

Tiranë
Nën kujdesin e Institutit “Yunus Emre” Tiranë është hapur ekspozita me piktura me temë "Çfarë na transmeton Yunusi?", ku në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të ndryshme turke dhe shqiptare, raporton Anadolu Agency (AA).
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, gjatë fjalës përshëndetëse në aktivitet tha se Yunus Emre është një figurë shumë e rëndësishme.
"Për mua Yunus Emre është pasuria, thesari i Anadollit, është gjithashtu dhe dashuria dhe vlerat shumë të mira njerëzore që ai përfaqëson. Sigurisht dhe tema kryesore e ekspozitës është çfarë na transmeton vetë Yunus-i. Do të shikojmë dhe punimet dhe do të kuptojmë që janë bazuar dhe krijuar duke u mbështetur në veprat e Yunus Emre-së dhe mesazhi që ai përcjellë", tha ai.
Ambasadori turk, duke iu drejtuar pjesëmarrësve tha se shpreson shumë që pasi të shikohen veprat e ekspozitës, të kuptohen akoma më mirë Yunus Emre dhe vlerat universale që ai ka përcjellë.
Drejtori i Institutit "Yunus Emre" Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, theksoi se si institut po organizojnë ekspozita dhe aktivitete të ndryshme në përkujtim të poetit Yunus Emre. "Jemi mbledhur edhe sot pikërisht për përkujtimin e Yunus Emre-së", tha ai.
Kryetari i Fondacionit të Rinisë Turke (TÜGVA), Enes Eminoğlu, tha se shpreson që ky mos të jetë organizimi i fundit, por të jetë një fillim i mbarë edhe për organizime në vijim, për bashkëpunimin midis Turqisë dhe Shqipërisë. "Ashtu siç mbështesim për zhvillimin fizik dhe psikologjik të studenteve dhe të rinjve në Turqi, ashtu kemi si qëllim për të zhvilluar të rinjtë në Shqipëri", u shpreh Eminoğlu.
Zëvendëskryetari i Gjysmëhënës Kuqe Turke, İsmail Hakki Turunç, në fjalën e tij tha se punimet e ekspozitës prekin zemrat e njerëzve.
"Këto vepra që prekin zemrat e njerëzve do të hapin dritare të reja dhe do të forcojnë marrëdhëniet miqësore dhe vëllazërore. Është shumë e rëndësishme në fakt për njerëzit që të duhen dhe kuptohen me njeri-tjetrin", tha Turunç.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura në Universitetin e Arteve në Tiranë, Artan Peqini, i cili vlerësoi bashkëpunimin me institucionet turke. Ai tha se organizime të tilla janë një mundësi e mirë për komunikimin mes dy vendeve.
Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur deri më datë 12 shtator organizohet në kuadër të vitit 2021 si Viti i Yunus Emre-së, nga Instituti “Yunus Emre” Tiranë në bashkëpunim me Fondacionin e Rinisë Turke (TÜGVA), Fakultetin e Arteve të Bukura në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe kompaninë Air Albania.
Në ekspozitë paraqiten punimet e përzgjedhura të pjesëmarrësve në "Konkursin e Pikturës Yunus Emre 2021" nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Turqia, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Bullgaria, konkurs i cili u organizua gjatë muajve të verës nga Instituti “Yunus Emre” Tiranë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.