Shqipëri, DPA do të organizojë seminar për punën në arkiv të institucioneve
"Ky seminar ka për qëllim ngritjen profesionale dhe shkencore të punonjësve të sekretari-arkivave të institucioneve shtetërore qendrore dhe vendore"

Tiranë
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë (DPA) ka planifikuar organizimin e aktiviteteve dhe seminareve me qëllim ngritjen profesionale dhe shkencore të punonjësve të sekretari-arkivave të institucioneve shtetërore qëndrore dhe vendore, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për mediat, Elsa Saka, drejtuese e Drejtorisë së Evidencës Qendrore dhe Komunikimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, tha se një seminar për këtë qëllim do të organizohet në datat 21 tetor - 1 nëntor të këtij viti në Tiranë.
“Ky seminar ka për qëllim ngritjen profesionale dhe shkencore të punonjësve të sekretari-arkivave të institucioneve shtetërore qendrore dhe vendore, për njohjen dhe zbatimin e ligjit ‘Për Arkivat’ si dhe normave tekniko-profesionale dhe metodologjike të shërbimit arkivor në Republikën e Shqipërisë”, theksoi Saka.
Sipas saj, temat kryesore që do të trajtohen në aktivitetet e seminarit do të jenë për evidentimin e dokumenteve, klasifikimin e dokumenteve arkivore, ekspertizën e vlerës së ruajtjes së dokumenteve, përpilimin e shkresave zyrtare si dhe rregullat për krijimin dhe zbatimin e elementëve të dokumentit, si dhe dixhitalizimin e dokumenteve.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave është institucioni më i lartë i rrjetit arkivor kombëtar në Shqipëri. Ky institucion ka organizuar disa aktivitete gjatë viteve të fundit në lidhje me administrimin dhe ruajtjen e dokumenteve nga institucionet.