BALLKANI

Shqipëri, dënohet me burg ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri

Ish-ministri Tahiri është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë

Fatjon Cuka  | 04.02.2022 - Përdıtësım : 07.02.2022
Shqipëri, dënohet me burg ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri Foto: AA/Arkiv

Tiranë

Ish-ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Saimir Tahiri, është dënuar me 3 vite dhe 4 muaj burg për shpërdorim detyre nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë, duke sjellë edhe ndalimin e tij dhe dërgimin sot në burg, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit të gjykatës e cila ka shpallur sot vendimin, është lënë në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë i datës 19 shtator 2019, me ndryshimin që Tahiri do dënohet me burg dhe jo me shërbim prove.

Sipas vendimit, vuajtja e dënimit me burgim për ish-ministrin Tahiri fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Ne vendimin e gjykatës theksohet se kundër vendimit të sotëm lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve.

Në shtator të vitit 2019, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë e shpalli fajtor ish-ministrin Tahiri për shpërdorim detyre, duke e dënuar me shërbim prove për një periudhë prej 3 vitesh.

Tahiri u hetua fillimisht dhe gjykua edhe për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, për të cilat u shpall i pafajshëm disa vite më parë.

Fillimisht hetimet ndaj Tahirit filluan pas publikimit të një dosje me përgjime nga autoritetet italiane, të disa personave që akuzohen për trafik të lëndëve narkotike, ku përmendej edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, ndërsa përfundimisht ai u dënua vetëm për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Saimir Tahiri ka mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë në periudhën 2013-2017.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın