Shqipëri, besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkët
Mesazhe urimi për besimtarët ortodoksë me rastin e festës së Pashkëve kanë përcjellë drejtuesit e lartë të vendit

Tiranë
Besimtarët ortodoksë në Shqipëri kremtojnë sot festën e Pashkëve, ku në vend janë mbajtur meshat tradicionale, raporton Anadolu Agency (AA).
Besimtarët ortodoksë janë mbledhur së bashku në meshën e mbajtur në Katedralen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë, duke kryer ritet e tyre fetare.
Mesha kryesore e Pashkëve në Tiranë u zhvillua në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ku të pranishëm ishin besimtarë dhe klerikë ortodoksë, ndërsa besimtarët kanë kryer ritet e tyre edhe në kishat e tjera të vendit.
Mesazhe urimi për besimtarët ortodoksë me rastin e festës së Pashkëve kanë përcjellë drejtuesit e lartë të vendit, si presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryeministri i vendit, Edi Rama.
Presidenti Meta në urimin e tij publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë shprehet se festa e Pashkëve "na kujton se para malit të së keqes, padrejtësive, veseve, frikës dhe zhgënjimit, shpresa dhe e mira nuk vdesin kurrë".
"Uroj nga zemra besimtarët ortodoksë dhe mbarë popullit shqiptar: Me besimin në Zot dhe duke përqafuar gjithmonë vlerat më të mira hyjnore, morale e sociale, por edhe kombëtare, me dashuri, harmoni të plotë, dialog, mirëkuptim, bashkëpunim e vëllazërim, secili prej nesh dhe shoqëria jonë në tërësi, mund të tejkalojë çdo sfidë, pavarësisht sakrificave, për të ecur e sigurt drejt së ardhmes më të mirë, në familjen evropiane", shprehet Meta.
Një nga traditat e Pashkëve është veza me ngjyra, ndërsa nuk mungojnë edhe vizitat mes besimtarëve për t'i shprehur urimet njëri-tjetrit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.