Shqipëri, arrestohet ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka
Koka akuzohet për disa vepra penale në lidhje me hetimet për procedurën mbi kontratën e koncesionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimit të energjisë në Qarkun e Elbasanit
Tiranë
Ish-ministri i Mjedisit i Shqipërisë, Lefter Koka, është arrestuar gjatë ditës së sotme, me akuza për disa vepra penale në lidhje me hetimet për procedurën mbi kontratën e koncesionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimit të energjisë në Qarkun e Elbasanit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka njoftuar se dyshohet se Koka ka konsumuar veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim.
Sipas njoftimit, nga hetimet është provuar se nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncesionit në fjalë.
Më tej, theksohet se veprimet dhe mosveprimet, të kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore janë kryer nga anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit në bashkëpunim me ish-ministrin Koka.
"Shtetasi L.K., në cilësinë e ish-ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare që janë përfitueset e kontratës së koncesionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij", thuhet në njoftim.
Koka ka mbajtur postin e ministrit të Mjedisit në qeverinë e Shqipërisë në vitet 2013-2017.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
