Shqipëri, aktivitet për 30-vjetorin e ratifikimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës
Në tryezën e diskutimit të mbajtur në kuadër të 30-vjetorit të ratifikimit nga Shqipëria të Konventës për të Drejtat e Fëmijës ishin të pranishëm zyrtarë të institucioneve të ndryshme, nxënës dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile

Tiranë
Në Tiranë është organizuar nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë një tryezë diskutimi në kuadër të 30-vjetorit të ratifikimit nga Shqipëria të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, ndërkohë të pranishëm ishin zyrtarë të institucioneve të ndryshme, nxënës dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendëskryetarja e Grupi të Deputetëve "Miqtë e Fëmijëve", Desantila Tahiraj, duke lexuar fjalën e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se nëntori është një muaj i rëndësishëm për të drejtat e fëmijëve, si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe në Shqipëri.
"Ndërkohë këtë vit, Shqipëria bën 30-vjet që ka ratifikuar Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, duke i hapur rrugën që në vitin 1992, mbrojtjes, respektimit dhe avancimit të të drejtave të fëmijëve. Të drejtat e fëmijëve sigurisht që kanë avancuar, por një sërë problemesh vijojnë të mbeten prezent në jetën e fëmijëve tanë. Sot me mbajtjen e kësaj tryeze, ku zëri kryesor është ai fëmijëve, do të evidentojmë arritje dhe sfidat në zbatim të konventës të të drejtave të fëmijëve", thuhet në fjalën e kryeparlamentares Nikolla.
Në fjalën e Nikollës theksohet se ratifikimi i kësaj konvente ishte një nga hapat kryesorë për njohjen dhe bërjen realitet të të drejtave të fëmijëve.
Sipas saj, të drejtat e fëmijëve janë bërë pjesë esenciale e korpusit ligjor, politik dhe atij institucional.
Kujtojmë se pranë Kuvendit të Shqipërisë funksionon Grupi Parlamentar "Miqtë e Fëmijëve", që synon mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve, si dhe ndërmarrjen e nismave për promovimin e këtyre të drejtave.
Konventa për të Drejtat e Fëmijës është Miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989, ndërkohë Shqipëria e ka ratifikuar këtë konventë në vitin 1992.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.