Shkup, protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë
Protestuesit, përfshirë ish-ushtarë të UÇK-së, mbanin flamuj shqiptarë dhe simbole të ndryshme kombëtare, si dhe brohorisnin slogane në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë
Shkup
Mijëra qytetarë janë tubuar në sheshin “Skënderbeu” në Shkup për të protestuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Hagë të Holandës, raporton Anadolu.
Tubimi i thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) e UÇK-së, me sloganin “Çlirimtarët të nderohen, jo të gjykohen”, mblodhi shumë pjesëmarrës nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe diaspora shqiptare.
Protestuesit, përfshirë ish-ushtarë të UÇK-së, mbanin flamuj shqiptarë dhe simbole të ndryshme kombëtare, si dhe brohorisnin slogane në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë, përkatësisht në Dhomat e Specializuara të Kosovës të krijuara sipas ligjit të Kosovës.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte, përfshirë vrasje, deportim me forcë dhe torturë në gjykatën në Hagë, e cila është e përbërë nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë dhe ndjek penalisht krimet e luftës që dyshohet se janë kryer në Kosovë midis viteve 1998 dhe 2000.
Aktakuza kundër tyre u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020 dhe paraburgimi i tyre në Hagë vazhdon që nga viti 2020.
Protesta të ngjashme në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë mbajtur edhe në kryeqytetet Tiranë dhe Prishtinë, si dhe në Hagë të Holandës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
