BALLKANI

Shkup, promovohet libri "Dokumente osmane për historinë e Maqedonisë"

Duke njoftuar se pjesë e këtyre ngjarjeve kulturore është edhe promovimi i librit "Dokumente osmane për historinë e Maqedonisë", Krsteski tha se promovimi i librit është pjesë e bashkëpunimit me Turqinë dhe arkivin e Turqisë

Husamedin Gina  | 01.03.2021 - Përdıtësım : 02.03.2021
Shkup, promovohet libri "Dokumente osmane për historinë e Maqedonisë" Foto: Umeys Sulejman/AA

Shkup

Në organizim të Arkivit të Shtetit të Maqedonisë së Veriut dhe Fondacionit "Ekay", në Shkup është promovuar libri "Dokumente osmane për historinë e Maqedonisë", raporton Anadolu Agency (AA).

Në promovimin e librit morën pjesë ambasadori turk në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, koordinatori i TIKA-s në Shkup, Halim Ömer Sağut, drejtori i institutit "Yunus Emre" në Shkup, Serhat Kula, drejtori i Fondacionit Maarif në Maqedoninë e Veriut, Mustafa Dillioğlu, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe të ftuar të tjerë.

Arkivi i Shtetit të Maqedonisë së Veriut botoi edicionin e librit "Dokumente osmane mbi historinë e Maqedonisë, regjistrime nga shekulli XIX, Sanxhaku i Shkupit, Kaza Shkup 1832/33", të autorëve Dr. Adnan Sherif, prof. Dr. Muzafer Bislimi dhe Mr. Irfete Ibraimi.

Emil Krsteski, drejtor i Arkivit të Shtetit të Maqedonisë së Veriut, theksoi se me rastin e 70-vjetorit të Arkivit të Shtetit ata po përgatisin disa ngjarje kulturore në fushën e historisë dhe arkivimit.

Duke njoftuar se pjesë e këtyre ngjarjeve kulturore është edhe promovimi i librit "Dokumente osmane për historinë e Maqedonisë", Krsteski tha se promovimi i librit është pjesë e bashkëpunimit me Turqinë dhe arkivin e Turqisë.

"Shpresojmë që kjo të jetë vetëm një pjesë e vogël e bashkëpunimit tonë të suksesshëm dhe që ne do të vazhdojmë në fushën e historisë dhe arkivimit, sepse është një pjesë e rëndësishme e historisë sonë", tha Krsteski.

Bislimi, një nga autorët e librit dhe zv/drejtor i Arkivit të Shtetit të Maqedonisë së Veriut, tha se ky edicion i librit është "një botim i veçantë i regjistrimit për popullsinë muslimane dhe janë në fakt regjistrimet e para moderne të kryera brenda Perandorisë Osmane".

Ndërkaq, Sherif tha se është një libër shumë i rëndësishëm si pjesë e historisë osmane. Ai shtoi se libri nuk i referohet vetëm regjistrimit klasik të popullsisë, por po ashtu ofron edhe të dhëna për popullsinë dhe lëvizjet, moshën dhe karakteristikat e tyre.

"Veçantia e këtij botimi sot ndryshon nga botimet e mëparshme në atë që në historigrafi konsiderohet si regjistrimi i parë modern i shtetit osman dhe i referohet popullsisë në Maqedoninë e sotme, pra Sanxhakut të Shkupit", tha Sherif.

Kreu i Fondacionit "Ekay", Murteza Sulooca, njoftoi se ditët në vijim në Tetovë dhe Kumanovë do të promovohen botime të tjera të librit "Dokumente osmane për historinë e Maqedonisë", të cilat referohen për Kazën e Tetovës dhe Kazën e Kërçovës.

Pjesa e Sanxhakut të Shkupit, i cili është botuar në gjuhën maqedonase dhe shqipe, ka të bëjë me regjistrimin e popullsisë së fesë Islame në gjysmën e parë të shekullit XIX në lagjet e Shkupit (41 lagje), fshatrat e vendosura në Çair (19 fshatra), ato në Kara Dag apo Mali i Zi i Shkupit (9 fshatra), në Karshijaka (37 fshatra), në Derbend (8 fshatra), si dhe fiset dhe fshatrat në qytetin e Kaçanikut (gjithsej 21).

Në kuadër të promovimit u shfaq edhe ekspozita "200 mijë të mërguar jugosllavë" të autorit Murteza Sulooca, e cila ka për qëllim të zbulojë emra dhe mbiemra të veçantë të mërgimtarëve që u botuan në gazetat zyrtare në Republikën e Turqisë në periudhën 1956-1972.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.