BALLKANI

Shkup, përkujtohen në 78-vjetorin e ekzekutimit anëtarët e lëvizjes Juxhel

Në programin përkujtimor të organizuar nga Shoqata Kopru, morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe vendore si dhe të ftuar

Dzihat Aliju  | 27.02.2026 - Përdıtësım : 27.02.2026
Shkup, përkujtohen në 78-vjetorin e ekzekutimit anëtarët e lëvizjes Juxhel Foto: Dzihat Aliju / AA

Shkup

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, u përkujtuan dëshmorët e lëvizjes Juxhel, të cilët 78 vjet më parë u ekzekutuan nga ana e regjimit komunist në ish-Jugosllavi, raporton Anadolu.

Programi përkujtimor u organizua në Shkup, pranë Monumentit të Juxhelëve, i hapur në vitin 2021 në Shkollën Fillore "Tefejuz", e cila ofron mësim në gjuhën turke.

Në programin përkujtimor të organizuar nga Shoqata Kopru, morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe vendore si dhe të ftuar.

Kryetari i Shoqatës Kopru, Husrev Emin, në fjalën e tij foli për rëndësinë e lëvizjes Juxhel dhe anëtarëve të saj.

Pjesëmarrësit vendosën trëndafila pranë monumentit dhe bënë lutje.


- Juxhelët

Turqit muslimanë që jetonin në Maqedoninë e Veriut në vitin 1937 filluan të mblidhen për t'i ruajtur dhe mbajtur të gjalla vlerat kombëtare dhe shpirtërore si dhe adetet dhe traditat.

Në vitin 1945 organizata mori emrin "Juxhel" ndërsa detyrën e kryetarit e mori Shuajb Aziz Efendiu, i cili mësimet i kishte marrë në Medresenë e Ataullah Efendiut në Shkup, ndërsa më pas në Universitetin El Ezher në Egjipt në degën e fikhut, kelamit, tasavvufit dhe filozofisë perëndimore.

Me përpjekjet për shuarjen e të gjitha organizatave nacionaliste në Jugosllavi, në vitin 1947 filloi procesi i gjykimit për 16 persona të cilët paraprakisht u arrestuan. Më 25 janar të vitit 1948, gjykata vendosi për ekzekutimin e tyre, kurse më 27 shkurt të po të njëjtit vit me pushkatim u ekzekutuan Shuajb Aziz, Adem Ali, Ali Abdurrahman dhe Nazmi Omer. Ndërkaq, të tjerët u ndëshkuan me dënime të rënda me burgim.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.