Shkup, mbahet ceremonia e ndarjes së “Çmimeve të dyta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe kulturën”
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt nën udhëheqjen e Fondacionit të Turqve të Rumelisë dhe me mbështetjen e TRT-së, Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB) dhe Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA)

Shkup
Në Shkup është mbajtur ceremonia e ndarjes së “Çmimeve të dyta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe kulturën”, raporton Anadolu.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt në Sallën e Koncerteve të Filarmonisë nën udhëheqjen e Fondacionit të Turqve të Rumelisë dhe me mbështetjen e TRT-së, Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB) dhe Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Në ngjarje morën pjesë zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ambasadori turk në Shkup, Fatih Ulusoy, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe një numër i madh i të ftuarve.
Në fjalën e tij, ambasadori Ulusoy tha se midis Turqisë dhe vendeve të Ballkanit ekzistojnë lidhje historike, kulturore dhe njerëzore.
"Përveç bashkëpunimit ekzistues institucional të vendit tonë me vendet e Ballkanit në shumë fusha, ne kemi edhe lidhje të forta me popujt e Ballkanit, pasi ndajmë fatin e përbashkët me të gjithë vëllezërit tanë që jetojnë në këto vende”, tha Ulusoy.
Duke theksuar rëndësinë e komunitetit turk të këtij vendi në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, Ulusoy tha se, “Komuniteti turk vazhdon të japë kontribute të dukshme në mirëqenien dhe zhvillimin e këtij vendi në ekonomi, tregti, kulturë, art, letërsi, media dhe shumë fusha të tjera. Dhe ne, si Turqi, me të gjitha institucionet tona, vazhdojmë të qëndrojmë pranë komunitetit turk në Maqedoni”.
Në ceremoninë për kontributin e rëndësishëm të dhënë në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit për paqen dhe qetësinë në Ballkan, çmime iu ndanë zv/kryeministrit Mexhiti, Sulejman Bakit nga Universiteti i Tetovës, historianit të shquar Ardijan Muhaj, kreut të Shoqatës së Shkodrës nga Stambolli, Ridvan Seferaj, profesorit në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Ferid Muhiq, myftiut të zgjedhur në Komotini të Greqisë, Ibrahim Sherif, kreut të Shoqatës së Minoritetit Turk në Traktinë Perëndimore, Hussein Baltatzi, shkrimtarëve Shefka Begoviq Liçina dhe Harun Crnovrshanin, doc. Dr. Emine Halil dhe doc. Dr. Harun Bekir nga Bullgaria, turkologut kosovar Nimetullah Hafız, artistit kosovar Nevzat Shundo, përfaqësuesit të komunitetit tatar të Krimesë, Tahsin Gemil në Rumani dhe ish-myftiut të zgjedhur në Xanthi të Greqisë, të ndjerit Ahmet Mete, çmimi i të cilit u pranua nga bashkëshortja e tij.
Për kontributin e tyre, u ndanë pllaka për TRT-në, YTB-në, TIKA-n dhe Shoqatën e Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATUSITEB).
Programi i organizuar me rastin e "Çmimeve të Dyta Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe Kulturën" u pasurua me performanca nga artistë nga rajoni.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.