BALLKANI

Shkup, akademi përkujtimore për Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit

Gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Maqedonia e Veriut u deportuan gjithsej 7.114 hebrenj

Abdula Berısha  | 27.01.2020 - Përdıtësım : 28.01.2020
Shkup, akademi përkujtimore për Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit Foto: Abdula Berısha/AA

Shkup

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të viktimave të Holokaustit dhe 75-vjetorit të çlirimit të kampit Auschwitz-Birkenau, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve Maqedonase (ASHAM) u mbajt akademi përkujtimore, raporton Anadolu Agency (AA).

Akademia përkujtimore filloi me një minutë heshtje, ndërsa të pranishëm ishin përfaqësues të qeverisë të udhëhequr nga kryeministri teknik Oliver Spasovski, deputetë, përfaqësues të institucioneve vendase dhe diplomatë të vendeve të huaja.

Në fjalimin e tij, Spasovski e cilësoi Holokaustin si krimin më të madh në historinë moderne të njerëzimit, duke theksuar se kjo tragjedi nuk duhet të përsëritet asnjëherë ndaj askujt.

"Përkujtimi i këtyre përvjetorëve është një mundësi për të kujtuar të gjithë viktimat e Holokaustit, përfshirë 7.144 hebrenj nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi që u internuan dhe u vranë në kampin e vdekjes në Treblinka në mars dhe prill të vitit 1943, një tragjedi që është ngulitur thellë në kujtesën kolektive të popullit tonë", tha Spasovski.

Ai gjithashtu shprehi përkushtimin për të luftuar antisemitizmin dhe mohimin e Holokaustit.

Kryetarja e komunitetit hebraik të Maqedonisë së Veriut, Berta Romano Nikoliç, në fjalimin e saj shprehi falënderime për vizitën dhe prezencën e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në forumin përkujtimor që u mbajt në Izrael.

Ajo theksoi se Holokausti nuk filloi me kampet e përqendrimit, por me demonizimin e një grupi të njerëzve.

"I organizuar nga autoritetet gjermane dhe bullgare, me vagonë të mallrave, kryhet transporti me qëllimin përfundimtar Treblinka. Askush nuk kthehet nga Treblinka. Pason përqindja më e zezë, 98 për qind, përqindja më e lartë në Evropë e likuidimit të popullsisë hebraike në një territor sipas popullsisë", tha Romano Nikoliç.

Gjatë akademisë përkujtimore fjalime kishin edhe kryetari i ASHAM-it, akademik Lupço Kocarev, ambasadorja e Suedisë, Kristin Forsgren Bengtsson, si dhe ambasadori i Polonisë, Wojciech Tyciński.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Maqedonia e Veriut u deportuan gjithsej 7.114 hebrenj. Ata u mblodhën nga më shumë qytete, por më të shumtë ishin nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi, për t’u transportuar dhe vrarë në kampet në Treblinka të Polonisë.

Kujtojmë se me një vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që daton nga viti 2005, 27 janari është shpallur si ‪ditë ndërkombëtare në të cilën përkujtohen viktimat e gjenocidit nazist, ndërkohë që paraqet edhe përpjekje për të luftuar urrejtjen dhe antisemitizmin në botë.

Më 27 janar të vitit 1945, ushtarët e armatës së kuqe hynë në kampin Auschwitz dhe zbuluan rreth 7.000 persona ende të gjallë në kamp.

Gjatë pothuajse pesë vjetëve të ekzistencës së kampit Auschwitz, të paktën 1,1 milion persona kanë vdekur në këtë kamp.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın