BALLKANI

Shkollat Ndërkombëtare Maarif të Kosovës shpërblyen nxënësit e dalluar

Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë, ambasadori turk Angılı tha se sukseset e larta të nxënësve në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare janë shumë të rëndësishme për përfaqësimin e Kosovës

Agim Sulaj  | 16.10.2025 - Përdıtësım : 16.10.2025
Shkollat Ndërkombëtare Maarif të Kosovës shpërblyen nxënësit e dalluar Burimi: Maarif Kosova

Prishtinë

Shkollat Ndërkombëtare Maarif të Kosovës, që veprojnë nën Fondacionin Maarif të Turqisë (TMV), kanë shpërblyer 70 nxënës të tyre që kanë arritur suksese akademike dhe sportive në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare, në një ceremoni të organizuar me këtë rast, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit nga Shkollat Ndërkombëtare Maarif të Kosovës, ceremonia u organizua për të festuar arritjet akademike dhe sportive të nxënësve gjatë vitit shkollor 2024–2025, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.

Ngjarja u mbajt në ndërtesën e shkollës në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, dhe morën pjesë Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, njëherësh ministër në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, përfaqësuesi i TMV-së në Kosovë, Mehmet Nedim Aslan, shefi i Delegacionit Ushtarak Turk në Kosovë, kolonel i këmbësorisë Harun Elitaş si dhe përfaqësues të institucioneve turke në vend dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë, ambasadori Angılı tha se sukseset e larta të nxënësve në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare janë shumë të rëndësishme për përfaqësimin e Kosovës.

Ai theksoi se Shkollat Maarif, me institucionet e tyre arsimore në pjesë të ndryshme të botës, mund të kontribuojnë në përpjekjet e Kosovës për t’u njohur në arenën ndërkombëtare.

Përfaqësuesi i TMV-së në Kosovë, Aslan tha se në shkolla synojnë jo vetëm suksesin akademik, por edhe atë sportiv dhe artistik, duke shtuar se me arritjet e tyre, nxënësit nuk përfaqësojnë vetëm shkollat, por edhe Kosovën.

Pas fjalimeve, 70 nxënësve iu dorëzuan certifikatat për sukseset e tyre në fusha të ndryshme si shkencë, matematikë, teknologji, inteligjencë artificiale, shkenca shoqërore dhe sport, të arritura në gara të mbajtura në Kosovë, Turqi, Maqedoninë e Veriut, Gabon, Spanjë, Francë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Shkollat Ndërkombëtare Maarif të Kosovës, të cilat filluan aktivitetin arsimor në vitin 2017, kanë rreth 780 nxënës që ndjekin mësimet në degët e tyre në Prishtinë dhe Prizren.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın