BALLKANI

Shkollat Ndërkombëtare Maarif organizuan iftar në Kosovë

Ambasadori Angili theksoi se Shkollat Maarif kontribuojnë në zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet Turqisë dhe Kosovës

Agim Sulaj  | 13.03.2026 - Përdıtësım : 13.03.2026
Shkollat Ndërkombëtare Maarif organizuan iftar në Kosovë Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Shkollat Ndërkombëtare Maarif në Kosovë organizuan një program iftari, raporton Anadolu.

Në iftarin e mbajtur në ambientet e Shkollave Ndërkombëtare Maarif në Prishtinë morën pjesë anëtari i Bordit të Fondacionit Maarif të Turqisë (TMV), Hasan Aslan, ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunç Angili, përfaqësuesi i TMV-së në Kosovë, Mehmet Nedim Aslan, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, politikanë kosovarë dhe të ftuar të tjerë.

Hasan Aslan, anëtari i Bordit të TMV-së, në fjalën e tij përcjelli përshëndetjet e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe më tej tha se TMV-ja vepron me 550 shkolla në 64 vende të botës.

“Si TMV, synimi dhe objektivi ynë është që në vendet ku zhvillojmë aktivitet arsimor të edukojmë një brez të ri që e do vendin e vet, shtetin e vet, kombin e vet dhe është i përkushtuar ndaj pavarësisë së shtetit të tij”, tha ai.

Ambasadori Angili, nga ana e tij, theksoi se Shkollat Maarif kontribuojnë në zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet Turqisë dhe Kosovës. Ai njoftoi se në dy shkollat e TMV-së në Prishtinë dhe Prizren aktualisht mësojnë rreth 800 nxënës.

“Sipas mendimit tim, në arsim thelbësore nuk është sasia, pra numri, por cilësia. Në rastin e Kosovës, Maarif jo vetëm që gjatë rreth 9 vjetëve të aktivitetit këtu ka shënuar një rritje gati tetëfish të numrit të nxënësve, por nxënësit e saj kanë arritur suksese të rëndësishme edhe në shumë fusha ndërkombëtare. Këto arritje janë gjithashtu një burim krenarie për ne”, tha ai.

Ndërkaq, përfaqësuesi i TMV-së në Kosovë, Aslan, në fjalën e tij tha se Shkollat Ndërkombëtare Maarif në Kosovë kanë filluar aktivitetin në vitin 2017 dhe renditen ndër shkollat më të suksesshme në vend.

“Nxënësit tanë, të cilët në shumë gara kombëtare dhe ndërkombëtare akademike, sociale, kulturore dhe sportive kanë përfaqësuar Kosovën me rezultate të larta, nuk kanë bërë krenar vetëm TMV-në, por janë bërë edhe një burim krenarie për Kosovën”, tha ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.