BALLKANI

Shefja e diplomacisë gjermane: BE-ja duhet të përgatitet për një të ardhme me më shumë se 30 anëtarë

Shefja e diplomacisë sllovene shprehu shpresë se BE-ja do të japë sinjale të rëndësishme për zgjerim në Ballkanin Perëndimor deri në fund të verës së vitit 2024

Mustafa Talha Öztürk  | 05.12.2023 - Përdıtësım : 06.12.2023
Shefja e diplomacisë gjermane: BE-ja duhet të përgatitet për një të ardhme me më shumë se 30 anëtarë Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë

Beograd

Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE), ku aktualisht janë 27 vende anëtare, duhet të përgatitet për një të ardhme me më shumë se 30 anëtarë, raporton Anadolu.

“BE-ja përmes reformave duhet të përgatitet për një të ardhme me më shumë se 30 anëtarë”, tha Baerbock në një konferencë të përbashkët për media në Lubjanë me homologen e saj sllovene, Tanja Fajon.

Lidhur me konfliktin Izrael-Palestinë në Lindjen e Mesme, Baerbock tha se “vetëm atëherë kur dhimbja e njërës palë lehtësohet, mund të lehtësohet edhe dhimbja e palës tjetër”.

Fajon, nga ana e saj, mbështeti deklaratat e ministres gjermane për një BE më të madhe, duke e quajtur zgjerimin e bllokut evropian një “domosdoshmëri gjeostrategjike”.

Shefja e diplomacisë sllovene shprehu shpresë se BE-ja do të japë sinjale të rëndësishme për zgjerim në Ballkanin Perëndimor deri në fund të verës së vitit 2024.

Ministret e dy vendeve po ashtu njoftuan se ata planifikojnë një vizitë së bashku në Bosnjë e Hercegovinë verën e ardhshme.

Baerbock vizitoi Qendrën Kombëtare të Logjistikës në qytetin Roje së bashku me ministren sllovene, ku pa pajisjet për mbrojtje nga përmbytjet dhe mësoi për funksionimin e njësisë së pompimit me volum të lartë, e cila është pjesë e mekanizmit të mbrojtjes civile të BE-së.

Gjatë vizitës së saj, Baerbock do të takohet edhe me kryeministrin slloven, Robert Golob.

Zgjerimi i fundit kryesor i BE-së ishte para vitit 2010, por blloku ka vazhduar të jetë i prirur të pranojë vendet e Ballkanit Perëndimor, pjesërisht për t’u siguruar që ato të mos bien nën ndikimin e fuqive të tjera botërore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.