BALLKANI

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rumanisë, zhvillon takime në Maqedoninë e Veriut

Në takimin midis shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral major Lafçiskit dhe gjeneral Vladit, u konfirmua bashkëpunimi midis dy ushtrive, i cili gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti është vlerësuar si jashtëzakonisht i mirë

Dzihat Aliju  | 02.09.2025 - Përdıtësım : 02.09.2025
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rumanisë, zhvillon takime në Maqedoninë e Veriut Foto: Ushtria e Maqedonisë së Veriut

Shkup

Një delegacion i lartë i Forcave të Armatosura të Rumanisë i udhëhequr nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerali Gheorghita Vlad, zhvillon vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit nga Ushtria e Maqedonisë së Veriut, në takimin zyrtar midis shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral major Sashko Lafçiskit dhe gjeneral Vladit, u konfirmua bashkëpunimi midis dy ushtrive, i cili gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti është vlerësuar si jashtëzakonisht i mirë dhe në një nivel të lartë.

Në njoftim më tej u theksua veçanërisht bashkëpunimi i suksesshëm në fushën e trajnimeve dhe ushtrimeve të kryera në kuadër të iniciativës B-9 si dhe në kuadër të aktiviteteve dypalëshe dhe rajonale.

"Për më tepër, u diskutua mbështetja e ndërsjellë në përmbushjen e objektivave të aftësive të NATO-s dhe përmirësimin e ndërveprimit si dhe mundësia e avancimit të bashkëpunimit dypalësh, përfshirë bashkëpunimin në fushën e forcave speciale", thuhet në njoftim.

Si pjesë e vizitës, gjenerali Vlad u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes, Vlado Misajlovski, ku palët diskutuan mbi angazhimin e të dy vendeve për forcimin e krahut lindor të NATO-s, situatën e sigurisë në rajon si dhe mundësitë për zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh.

Përveç takimeve zyrtare, delegacioni rumun do të vizitojë edhe Batalionin e Forcave Speciale në kazermën "Ilinden" në Shkup, ku do të njihen me misionin, pajisjet dhe armët në dispozicion të batalionit si dhe do të marrin pjesë në një ushtrim demonstrues metodik të organizuar nga njësia.

Nesër, delegacioni rumun do të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të detyrave të Komitetit Politiko-Ushtarak-Menaxhues dhe Komitetit Koordinues të SEDM-it si dhe në shënimin e 26-vjetorit të themelimit të Brigadës së Evropës Juglindore (SEEBRIG), në kazermën "Boro Menkov" në Kumanovë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın