SHBA-ja heq sanksionet ndaj liderit nacionalist serb të Bosnjës, Milorad Dodik
Dodik u vendos nën sanksione për herë të parë në vitin 2017 për minim të Marrëveshjes së Dejtonit.
Washington
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka hequr sanksionet ndaj liderit nacionalist serb të Bosnjës, Milorad Dodik, si dhe ndaj anëtarëve të familjes dhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt, transmeton Anadolu.
Ky vendim përmbys masat e vendosura më parë për shkak të veprimeve që minonin Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit.
Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja e Departamentit amerikan të Thesarit (OFAC) njoftoi heqjen e sanksioneve pa dhënë shpjegime.
Dodik u vendos nën sanksione për herë të parë në vitin 2017 nga administrata e ish-presidentit Barack Obama, për sfidimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe pengimin e zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit. Në atë kohë, Departamenti i Thesarit e akuzoi atë se po kërcënonte “sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës”.
Administrata e presidentit Joe Biden vendosi sanksione shtesë ndaj Dodikut në vitin 2022.
Më herët këtë vit, një gjykatë boshnjake e dënoi Dodikun me një vit burg dhe i ndaloi ushtrimin e funksioneve politike për gjashtë vjet për shkak të mosrespektimit të autoritetit të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit të vitit 1995.
I njohur për retorikën e tij të shpeshtë separatiste, Dodik ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se Bosnja duhet të miratojë një marrëveshje të re politike ose të ndahet plotësisht.
Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995, që i dha fund Luftës së Bosnjës, e përcaktoi Bosnjë dhe Hercegovinën si një shtet të përbërë nga dy entitete: Federata e Bosnjë dhe Hercegovinës (FBiH) dhe Republika Sërpska (RS). Megjithatë, mospajtimet rreth interpretimit dhe zbatimit të saj vazhdojnë të jenë burim tensionesh.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
