BALLKANI

SHBA e shqetësuar për "tendencat" që partitë serbe të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë

Pas një takimi që ka zhvilluar me Kurtin, Prattipati tha se e ka bërë të qartë se është tejet e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje

Agim Sulaj  | 21.08.2025 - Përdıtësım : 21.08.2025
SHBA e shqetësuar për "tendencat" që partitë serbe të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë Foto: AA/Arkiv

Prishtinë

E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, ka shprehur shqetësim për tendencat që, sipas saj, janë shfaqur me qëllimin që partive serbe t’u ndalohet pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit të këtij viti, transmeton Anadolu.

Pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Prattipati tha se e ka bërë të qartë se është tejet e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje.

“Me kryeministrin në detyrë kemi diskutuar për veprimet, që kuptojmë se kryeministri në detyrë dhe Lëvizja Vetëvendosje po shqyrtojnë t’i përjashtojnë disa nga partitë politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të ardhshme”, tha ajo.

Përfaqësuesja e ambasadës së SHBA-së tha se besojnë që të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë që t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre politik në institucione.

“Të jemi të qartë, besojmë se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Është shumë me rëndësi që serbët e Kosovës të përfshihen në këtë proces dhe jemi të shqetësuar për çdo tentim që limiton zgjedhjet e tyre. Ia kam bërë të qartë këto pika kryeministrit në detyrë dhe kam nënvizuar vëmendjen e SHBA-së për këtë çështje”, theksoi Prattipati.

Më 20 gusht, pas dështimit të seancës konstituive, ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, tha se “partitë tjera kanë raporte të mira me subjektin Lista Serbe” dhe “ato do të kontribuojnë në certifikimin e saj për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale”.

Po ashtu edhe Kurti kishte deklaruar vitin e kaluar se Lista Serbe është pengesa më e madhe e integrimit të serbëve në Kosovë.

Kurti ishte shprehur se për aq kohë sa Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe i akuzuar për terrorizëm, nuk dorëzohet tek autoritet kosovare, Lista Serbe do të jetë krahu i Milan Radoiçiqit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın