Servisi i Agjencisë Anadolu në gjuhën shqipe shënon përvjetorin e 11-të
Me praninë e saj në rajon, servisi i Anadolu-t në gjuhën shqipe gjatë 11 viteve ekzistencë numëron mbi 180 mijë lajme të publikuara nga Ballkani, Turqia dhe bota, prej të cilave mbi 67 mijë përmbajnë foto galeri dhe mbi 41 mijë video materiale

Shkup
Servisi i agjencisë turke të lajmeve Anadolu në gjuhën shqipe sot shënon përvjetorin e 11-të që nga fillimi i publikimeve të lajmeve në gjuhën shqipe.
11 vite më parë, përkatësisht më 1 tetor të vitit 2014, Anadolu nisi publikimin e lajmeve në gjuhën shqipe ndërsa më 9 nëntor të vitit 2015 hapi qendrën e publikimeve në Shkup nga ku sot vepron, së bashku me gjuhën maqedonase.
Gjatë 11 viteve aktive me publikimin e lajmeve në gjuhën shqipe nga të gjitha anët e botës, ndjekur me përmbajtje fotografish dhe videosh, servisi i Anadolu-t në gjuhën shqipe ka fituar një dimension aktiv dhe më pranë mediave të hapësirës shqiptare, duke ofruar lajme të sakta, të shpejta dhe të paanshme në Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe Kosovë.
Me praninë e saj në rajon, servisi i Anadolu-t në gjuhën shqipe gjatë 11 viteve ekzistencë numëron mbi 180 mijë lajme të publikuara nga Ballkani, Turqia dhe bota, prej të cilave mbi 67 mijë përmbajnë foto galeri dhe mbi 41 mijë përmbajnë video materiale.
Ndryshe, gjuha shqipe ishte e teta që u lançua pranë këtij institucioni serioz mediatik. Krahas gjuhës turke, shqipe dhe maqedonase, Anadolu publikon lajme edhe në gjuhën angleze, arabe, BHSC (boshnjake, kroate, serbe, malazeze), ruse, frënge, kurde (dialektet Sorani dhe Kurmanji), perse, indoneziane dhe spanjolle.