Serbia arreston një ish-pjesëtar të UÇK-së, OVL-UÇK konfirmon identitetin
Syla në një përgjigje për mediat në Kosovë ka bërë të ditur se i arrestuari është Avni Qenaj nga fshati Romajë i Prizrenit, i cili gjatë luftës ka shërbyer në Brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare
Prishtinë
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka konfirmuar se autoritetet serbe kanë arrestuar sot një ish-pjesëtar të UÇK-së, transmeton Anadolu.
Syla në një përgjigje për mediat në Kosovë ka bërë të ditur se i arrestuari është Avni Qenaj nga fshati Romajë i Prizrenit, i cili gjatë luftës ka shërbyer në Brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare.
“Ai është arrestuar dhe sipas informacioneve që kemi, me gjasë ia kanë gjetur kartelën e anëtarësisë së veteranit që e kemi lëshuar ne, gjatë kontrollit. Ndërkaq, sipas të dhënave tona, Qenaj kishte kaluar dy a tri herë më herët nëpër Serbi dhe nuk kishte pasur probleme”, tha Syla.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Serbisë më herët njoftoi se ka arrestuar një shtetas të Kosovës, të identifikuar me inicialet A.Q. (1973), i cili dyshohet për “organizim të një grupi dhe nxitje për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës” gjatë viteve 1998-1999.
Në njoftim thuhet se i dyshuari “në prill të vitit 1998 iu bashkua selisë lokale të të ashtuquajturës UÇK për fshatin Romajë” dhe se më pas, si pjesë e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, ka marrë pjesë në sulmin ndaj postbllokut kufitar serb në Koshare në vitin 1999.
Ministria serbe bëri të ditur se ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe se do të paraqitet me kallëzim penal në prokurorinë kompetente për krime lufte.
Institucionet në Kosovë ende nuk kanë bërë ndonjë reagim lidhur me arrestimin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
