Ekonomi, BALLKANI

Sejko: Ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet

“Informacioni i disponuar dhe i marrë në analizë sugjeron vijimin e trendeve pozitive të zhvillimit, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë financiar", deklaroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko

Fatjon Cuka  | 01.10.2025 - Përdıtësım : 01.10.2025
Sejko: Ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet Foto: Kabineti i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë

Tiranë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka deklaruar se perspektiva e zhvillimit ekonomik në të ardhmen në Shqipëri mbetet pozitive dhe se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet, raporton Anadolu.

Sejko mbajti një konferencë për meidat mbi vendimmarrjen e politikës monetare, ndërkohë që theksoi se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

“Informacioni i disponuar dhe i marrë në analizë sugjeron vijimin e trendeve pozitive të zhvillimit, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë financiar. Në aspektin ekonomik, vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat janë rritur, ndërsa inflacioni ka qëndruar në nivele të ulëta dhe të qëndrueshme”, tha Sejko.

Ai theksoi se perspektiva e zhvillimit ekonomik në të ardhmen mbetet pozitive, sipas tij e pasqyruar në parashikime që sugjerojnë rritje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik.

Sejko u shpreh se sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), aktiviteti ekonomik u rrit me 3,5 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2025.

“Rritja ekonomike pasqyroi zgjerimin e kërkesës së brendshme, në formën e rritjes së konsumit e të investimeve të sektorit privat dhe publik, si dhe rritjen e të ardhurave nga turizmi. Nga ana tjetër, tkurrja e eksportit të mallrave dhe rritja e importeve ndikoi negativisht në rritjen ekonomike. Kjo ecuri e kërkesës agregate u pasqyrua në rritje të aktivitetit në sektorin e shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që sektori bujqësor dhe ai industrial vijuan të shënojnë rënie”, tha Sejko.

Guvernatori Sejko ndër të tjera theksoi se zgjerimi i konsumit dhe i investimeve në ekonomi është nxitur nga zhvillimet pozitive në tregun e punës dhe gjendja e qëndrueshme financiare e sektorit privat.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın